Demaj kishte pësuar lëndim të rëndë të ligamenteve të gjurit më 8 mars

Demaj kishte pësuar lëndim të rëndë të ligamenteve të gjurit më 8 mars

Kapitenia dhe liderja e Kombëtares së Kosovës në hendboll, Leonora Demaj do t’i nënshtrohet një operimi dhe do të mungojë kohë të gjatë. Mungesa e Demajt do të jetë hendikep i madh për Kombëtaren tonë, marrë për bazë që ajo në vitet e fundit ka udhëhequr Kosovën drejt niveleve të reja.

Demaj kishte pësuar lëndim të rëndë të ligamenteve të gjurit më 8 mars derisa ishte duke luajtur për skuadrën e saj në Danimarkë, Sonderjyske. Edhe te Sonderjyske, Leonora është lojtarja kryesore. Ajo do të mungojë nga hendbolli të paktën nëntë muaj. Demaj ka dëmtuar ligamentin kryqëzor të gjurit të djathtë dhe do të operohet shumë shpejtë.

“Kam dëmtuar rëndë ligamentin kryqëzor në gjurin e djathtë. Ditët dhe javët e para kanë qenë shumë të rënda. Gjurin e kam pasur të ënjtur dhe më është dashur të kem kujdes shumë të madh. Disa ditë pas lëndimit kam nisur me disa ushtrime shumë të thjeshta. Qëllimi ishte për të drejtuar këmbën, por ka qenë shumë e vështirë”, ka thënë Demaj për faqen zyrtare të Federatës së Hendbollit të Kosovës.

Ajo për herë të parë në karrierë pëson lëndim të rëndë. Kapitenia jonë shquhet për përgatitjen shumë të mirë dhe për fizikun që ka.

“E kam ditur menjëherë që është diçka serioze sepse e kam ndier që diçka është këputur brenda gjurit”, ka thënë Demaj.

Për shkak të koronavirusit, ajo nuk e di kur do të operohet, por pret që kjo të ndodhë shumë shpejtë.

“Nuk e di saktësisht datën e operimit mirëpo shpresoj që në të ardhmen më të afërt të bëjë operimin. Tani jam duke e forcuar gjurin sa më shumë që është e mundur. Këtë po e bëj me ushtrime, që të jam më e fortë pas operimit. Pas operimit pritet të qëndroj jashtë hendbollit për 9 deri në 12 muaj. Më pret një kohë e gjatë e rehabilitimit”, ka deklaruar Demaj.