Kaloni te përmbajtja kryesore

Kasami merr detyrën si kryetar i Tetovës

Rrugën për në punë, në ditën e parë si kryetar i Tetovës, Bilall Kasami e bëri në këmbë. Nga shtëpia e tij në Çarshinë e Epërme, i shoqëruar nga përkrahës, e duke u përshëndetur me qytetarë në rrugë, arriti në godinën e Komunës.
Në korridore u prit nga të punësuarit. Pasi mori certifikatën si kryetar komune, u prit nga tashmë ish-kryetarja Teuta Arifi, e cila i uroi suksese dhe tha se postin po e dorëzon në mënyrë demokratike.
“Sot e kryejmë ashtu siç kërkojnë rregullat demokratike procedurën e pranim-dorëzimit sipas vullnetit të shprehur nga ana e qytetarëve dëshiroj që kryetarit të zgjedhur tani më t’i dëshiroj sukses në punën e tij ashtu që të bëhen punë sa më të mira për qytetin edhe qytetarët tanë”, tha Teuta Arifi – ish-kryetare e Komunës së Tetovës.
Pasi u ul në karrigen e kryetarit, Kasami tha se atë e presin shumë punë, ndërsa u zotua se gjënë e parë që do të bëjë është revizion i borxhit komunal. U shpreh po ashtu se do të përkrah të gjithë të punësuarit e administratës që e bëjnë punën ashtu siç duhet. Nga e hëna tha se do të ketë edhe planin aksionar për 100-ditëshin e parë.
“Nga ky moment do të fillojë skanimi i situatës në komunën e Tetovës dhe padyshim menjëherë duke ndjekur dispozitat ligjore do të angazhojmë specialistë nga jashtë institucionit për revizion të plotë. Qytetarët dhe institucionet duhet të dinë ku edhe si janë harxhuar paratë e tyre, qytetarët duhet ta dinë se sa borxhe ka komuna e Tetovës edhe ku janë krijuar ato borxhe. Transparenca fillon nga këtu kush ka keqpërdorur mjete financiare do të përgjigjet, menjëherë do të fillojmë skanimin e ndërmarrjeve publike dhe emërimin e udhëheqësve të këtyre ndërmarrjeve. Pjesëtarët e administratës komunale që e bëjnë punën e tyre profesionale jo vetëm që do të kenë përkrahjen time të plotë por do të angazhohem për avancimin e tyre që të marrin vendin e tyre të merituar të plotë”, u shpreh Bilall Kasami – kryetar i Komunës së Tetovës.
Në orët e paradites certifikatat i morën edhe 31 këshilltarët komunalë. Por akoma nuk dihet se kur do të zhvillohet seanca e parë e Këshillit dhe me kë do të krijohet shumica. Kasami para mediave përsëriti qëndrimin se ka shumicë në Këshill por nuk tregoi se me cilat parti politike.
“Do të vijnë ditët në vijim edhe do e shohim”, shtoi Kasami.
Gjatë ditës së djeshme TV21 komunikoi me të gjithë partitë që kanë përfaqësues në Këshillin Komunal të Tetovës, ndërsa thonë se ende nuk kanë marrëveshje politike dhe se ditëve në vijim presin ofertë konkrete nga kreu i komunës Bilall Kasami./TV21

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button