Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka reaguar pas ngjarjes tronditëse që ndodhi sot në këtë komunë, ku një grua dyshohet se u mbyt nga bashkëshorti i saj.

Kastrati tha se ndjehet “i tronditur, i dëshpëruar e me mllef në lidhje me një ndodhi të pazakontë që ngjau sot në Kamenicë, ku një gruaje i është marrë jeta në mënyrën më mizore nga bashkëshorti“.

Nuk ka tronditje më të madhe sesa të dëgjosh për vrasje në martesë. Aty ku njeriu do të duhej ta gjente sigurinë më të madhe, mirëkuptimin më të lartë e dashurinë…kur aty ndodhë vrasja…është ferri vet“, tha Kastrati.

Tutje ai theksoi se dhuna në familje është rezultat i rrethanave të shumta, mirëpo problemi sipas tij, ende qëndron në mungesën e seriozitetit në trajtimin e kësaj dukurie.

Kemi dështuar si shoqëri të bëjmë mjaftueshëm për ta dënuar këtë dukuri e luftuar faktorët që çojnë tek ky problem. Kjo duhet të na turpërojë e alarmojë. Ngjarja e sotme është një akt i papranueshëm të cilin e denoj fuqishëm! Si Qëndron dhe si institucion mbetemi thellësisht të angazhuar dhe të përkushtuar në mbrojtjen e jetës, respektimit të dinjitetit, të drejtës së jetës dhe gëzimit të saj nga të gjithë, e veçanërisht grupeve të cenuara. Shpreh ngushëllimet më të thella familjes së viktimës“, theksoi kryetari./21Media