Në komunën e Obiliqit janë edhe katër raste të reja me koronavirus, prej tyre tri në Milloshevë dhe një në fshatin Plemetin. Kryetari i kësaj komune, Xhafer Gashi bëri të ditur se të gjitha këto raste janë raste kontakti. Në një shkrim në Facebook, Gashi u shpreh se gjendja e tyre është stabile dhe se janë në vetizolim.

“Sipas rezultateve të testimeve në IKSHPK, prej gjashtë mostrave të Komunës së Obiliqit, katër mostra kanë rezultuar pozitiv me Covid-19, prej tyre tri raste në fshatin Milloshevë dhe një rast në fshatin Plemetin, të gjitha raste kontakti. Ekipet e QKMF-së, po qëndrojnë në kontakt me rastet në fjalë, në mënyrë që të menaxhohet situata në vazhdimësi, nga informatat e fundit, gjendja e tyre është stabile dhe janë në vetizolim.”, shkroi ai mes tjerash.

I pari i Obiliqit kërkoi nga qytetarët respektim të mëtutjeshëm të masave deri në përfundim të pandemisë.

“Bashkëqytetarë të nderuar, ju njoftoj se situata në Obiliq, është nën kontroll, ekipet e QKMF-së , stafi policor dhe inspektorati komunal gjatë gjithë kohës janë në terren, nuk ka nevojë për panik, por të shtojmë më shumë kujdesin, vendosni maskën dhe mbani distancën! Së bashku kemi menaxhuar si duhet këtë sfidë, të jemi bashkë, të përgjegjshëm dhe vigjilentë deri në përfundim!”, përfundoi Gashi./21Media