Diçka e papritur në këto zgjedhje në Maqedoni ishte rritja drastike e numrit të shqiptarëve etnikë në Parlament, në krahasim me zgjedhjet paraprake, konsideron analisti politik, Aleksandar Kërzhallovski. Sipas tij, kjo është për shkak të abstenimit te maqedonasit etnikë ku ka 250 mijë qytetarë më pak të cilët kanë votuar në vitin 2016, respektivisht LSDM-ja ka fituar 110 mijë vota më pak, kurse VMRO-DPMNE-ja – 140 mijë.

“Ky është dënim i madh përkatësisht zë protestues për udhëheqjen e shteti në këtë periudhë. Vetë rezultati në suaza të blloqeve etnike nuk është befasi. Është paraparë epërsi e LSDM prej rreth 1.5% që realizohet me dy deputetë më shumë, ndërsa parashikim të ngjashëm kishte edhe në bllokun shqiptar – se BDI do të ketë rezultate më të mira nga Aleanca, dhe ja në fund dolën me 3 deputetë më shumë”, tha për TV21 analisti politik, Aleksandër Kërzhallovski.

Kërzhallovski thotë se ka katër skenarë të mundshëm për formimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, por skenari më i realizueshëm është që LSDM-ja dhe BDI-ja, të cilët deri tani ishin në koalicion, ta formojnë Qeverinë e re.

“A do të arrihet kjo, do të shohim, por besoj se ata së pari do të fillojnë negociatat mes tyre. Nuk do të thotë se në bisedimet do të harmonizohen qëndrimet, do të minimizohen dallimet dhe nuk do të thotë se do të pranohet gjithçka që kërkon pala tjetër. BDI nuk do të heqë dorë lehtë nga ideja për kryeministër shqiptar, por në llogari të kësaj do të ketë shumë kushte dhe kërkesa të tjera. Kështu që periudha në vijim do të jetë interesante, por mendoj se pikërisht LSDM dhe BDI do të fillojnë negociatat fillestare për përbërjen e Qeverisë së re. Nëse kjo nuk arrihet, opsion tjetër është LSDM me Aleancën, që me shumë gjasa shpejtë do të dakordohen, por u mungojnë edhe 3 vota që mund t’i sigurojnë me “Të Majtën” dhe PDSH-në. Por, kjo është strukturë më e komplikuar dhe ka indikacione të qarta se jo të gjithë duan kombinim të tillë”, deklaroi Kërzhallovski.

Opsion tjetër, siç shpjegon Kërzhallovski, është VMRO-DPMNE-ja ta përkrahë Qeverinë e re, edhe pse nuk do të jetë pjesë e saj, gjegjësisht të votohet për përbërjen e kësaj Qeverie e cila mund të jetë edhe me 58-59 deputetë. Nga ana tjetër, ka pak gjasa të ketë koalicion të madh mes VMRO-DPMNE-së, LSDM-së dhe Koalicionit Aleanca për shqi ptarët-Alternativë, i cili mund të sigurojë stabilitet më afatgjatë.

Kërzhallovski konsideron se në rast se nuk realizohet asnjë nga këta 4 skenarë, mund të shpallen zgjedhje të reja parlamentare, edhe pse, siç siguron, këtë nuk e dëshiron askush./21Media