Katër persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur në rrugën magjistrale Prishtinë-Gjilan, në afërsi të fshatit Slivovë.

Në aksident janë përfshirë katër vetura.

Rastin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Policia ka marrë informatën se rreth orës 14:30 ka ndodhur një aksident trafiku në rrugën magjistrale Prishtinë-Gjilan, respektivisht në afërsi të fshatit Slivovë.  Njësitë e trafikut rajonal menjëherë kanë dalë në vendngjarje dhe nga këqyrja e vendit të ngjarjes është parë që në aksident janë përfshirë katër vetura, ndërkaq deri më tani katër persona kanë kërkuar ndihmën mjekësore për shkak të lëndimeve të marra. Për të ofruar ndihmën mjekësore për të lënduarit janë ftuar edhe ekipet mjekësore emergjente. Aktualisht njësia e trafikut rajonal po vazhdon me veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së rrethanave që kanë shkaktuar këtë aksident”, ka njoftuar Borovci./21Media