KDI: Pati mungesë të përgjegjësisë institucionale dhe seriozitetit, Kuvendi po e humb peshën

KDI e ka cilësuar si “mungesë e përgjegjësisë institucionale” seancën e sotme parlamentare, në të cilën u trajtuar çështja e rritjes së çmimeve të derivateve të naftës.
KDI, shton se kjo seancë u zhvillua pa seriozitet që kërkon një debat për çështje të tilla.
Tutje, shtohet edhe se, Kuvendi po ‘’e humb peshën’’, duke komentuar faktin se në seancë s’kanë marrë pjesë ‘’një pjesë e konsiderueshme e deputetëve’’.
”Mospjesëmarrja e një pjese të konsiderueshme të deputetëve – si nga pozita ashtu edhe nga opozita – e bën të qartë se Kuvendi po e humb peshën si vend ku trajtohen realisht problemet e qytetarëve, si dhe pa substancë reale vendimmarrëse. Në të njëjtën kohë, përdorimi i gjuhës jo-parlamentare, ndërhyrjet dhe ndërprerjet e vazhdueshme të diskutimeve të deputetëve dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar, reflektojnë një degradim të standardeve të debatit dhe një mungesë respekti për institucionin. Kjo qasje jo vetëm që dëmton funksionimin e Kuvendit, por relativizon edhe temat që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien dhe stabilitetin ekonomik të qytetarëve”, thuhet në reagimin e KDI-së.