Komisioni Evropian u ka bërë thirrje shteteve anëtare të nisin më herët fushatën për vaksinimin e popullsisë kundër gripit, për të ulur rrezikun e shpërthimeve të njëkohshme të gripit dhe të COVID-19.

Fushatat për vaksinim kundër gripit normalisht fillojnë në vjeshtë, por sivjet këshillohet që ato të fillojnë gjatë verës. Zyrtarët e BE-së janë të shqetësuar se spitalet mund të mbingarkohen nga një numër i madh pacientësh, siç ka ndodhur në kulmin e pandemisë së koronavirusit në Evropë, gjatë muajve mars dhe prill.

Komisioni Evropian po ashtu u bëri thirrje shteteve që të blejnë më shumë vaksina kundër gripit.

Këtë javë, shkencëtarët në Mbretërinë e Bashkuar paralajmëruan se vala tjetër e koronavirusit në dimër mund të jetë më vdekjeprurëse. Sipas tyre, Mbretëria e Bashkuar mund të regjistrojë rreth 120 mijë vdekje të tjera nga koronavirusi në dimër.

Aktualisht, Mbretëria e Bashkuar është vendi më i prekur në Evropë nga COVID-19, me mbi 292 mijë të infektuar dhe mbi 45 mijë viktima. Në gjithë botën, koronavirusi ka prekur mbi 13,3 milionë njerëz e ka shkaktuar mbi 57 mijë vikitma.

Ndërkohë të dhëna shpresëdhënëse vijnë nga Shtetet e Bashkuara, sa i përket krijimit të vaksinës kundër koronavirusit. Kompania Moderna njoftoi se vaksina e saj eksperimentale ka rezultuar pa probleme serioze dhe ka nxitur reagim të sistemit imunitar te 45 vullnetarët që morën pjesë në eksperiment.

Siç u bë e ditur në një njoftim, asnjë prej individëve që iu nënshtrua vaksinës, nuk shfaqi efekte shqetësuese anësore, por disa prej tyre patën reaksione të lehta, si lodhje, dhimbje koke, ethe, apo dhimbje muskujsh. Këto efekte u vërejtën kryesisht te personat që morën dy doza apo një dozë më të lartë të vaksinës, njofton ekipi shkencor në një artikull në revistën mjekësore “New England Journal of Medicine”./21Media