KEDS po vazhdon të investojë me të madhe në Podujevë.  Vetëm sivjet janë ndarë afër 2 milionë euro nga të cilat po realizohen 66 projekte, ku do të përfitojnë afër 10 mijë qytetarë. Në rrjetin e tensionit të ulët do të shtrihen mbi 200 mijë metra kabllo dhe do të zëvendësohen afër 900 shtylla të vjetra me shtylla të reja betoni.

Përmes këtyre investimeve, Podujevës po i bëhet zgjidhje afatgjate në rrjetin e energjisë elektrike. Në këtë komunë, me anë të modernizimit të rrjetit konsumatorët do të marrin shërbime kualitative dhe të sigurta të energjisë elektrike. Krahas tyre, është duke u larguar tërësisht rreziku edhe nga shtyllat e vjetra, pasi që në disa lokacione rrjeti po vendoset nëntokë e në zona tjera ato janë duke u zëvendësuar komplet me shtylla të reja.

KEDS edhe gjatë viteve të kaluara ka investuar në shumë projekte në Podujevë. Madje, në vitin 2019 KEDS kishte realizuar investimin më të madh në historinë e elektrifikimit të Podujevës brenda një viti të vetëm, duke investuar rreth 6.5 milionë euro në rrjetin e tensionit të ulët dhe te mesëm, nga ku përfituan drejtpërdrejt shërbime më kualitative mbi 7,500 familje.