KOK-u zgjodhi më të mirët e vitit 2019

KOK-u zgjodhi më të mirët e vitit 2019

Komiteti Olimpik i Kosovës sonte ka organizuar edicionin e katër të ceremonisë “Laureatët 2019”. Në këtë ceremoni janë zgjedhur sportistja dhe sportisti i vitit, trajneri, çmimi special, shpresat, si dhe Kombëtaret më të suksesshme.

Majlinda Kelmendi është zgjedhur sportistja më e mirë e vitit, ndërsa sportisti më i mirë i vitit është zgjedhur xhudisti Akil Gjakova, i cili këtë çmim e kishte fituar edhe vitin e kaluar. Trajneri më i mirë edhe këtë vit është zgjedhur, trajneri Driton Kuka, i cili e fitoi këtë çmim për herë të katër radhazi.

Në këtë ceremoni gjithashtu u ndanë dy çmime speciale, njërin e fitoi Kombëtarja e hendbollit të Kosovës U21, ndërsa tjetrin sulmuesi i Kombëtares së Kosovës në futboll, Vedat Muriqi.

Dy shpresat olimpike më të mira për vitin 2019 u shpallën atleti Muhamet Ramadani, si dhe xhudistja Laura Fazliu. Kombëtaret më të mira këtë vit u zgjodhën ato të futbollit, si në konkurrencën e meshkujve ashtu edhe në atë të femrave.

Në këtë ceremoni mysafirë ishin shumë figura të njohura të komunitetit sportiv, ndërsa i pranishëm ishte edhe presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF), Marius Vizer, njëherit mik i madh i Kosovës dhe njëri nga kontribuesit më të mëdhenj në anëtarësimin e Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Vizer në këtë ceremoni u nderua me çmimin për merita të veçanta nga Komitetit Olimpik i Kosovës.

I pari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani në fjalën e tij hapëse, u shpreh se kemi hyrë në vitin më të rëndësishëm sportiv, vitin Olimpik “Tokio 2020”. Sipas tij, falë sukseseve të panumërta të deritashme, ambiciet drejt “Tokio 2020”, mbeten sërish medalja.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi i cili u shpreh se është i nderuar që përfaqëson qeverinë e Kosovës në këte aktivitet.

Ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi në këtë ceremoni u shpreh se ministria që ajo udhëheq e ka si prioritet zhvillimin e sportit në veçanti.

Presidenti i Federatës Botërore të Xhudos, Marius Vizer u shpreh se është i nderuar që është që është pjesë e kësaj ceremonie, ai nuk la pa përmendur suksesin më të madh të sportit kosovar, medaljen e artë të Majlinda Kelmendit.

Sportistja më e mirë e vitit 2019, Majlinda Kelmendi u shpreh se është e lumtur që e fitoi këtë çmim për herë të tretë në karrierë. Ndërsa sportisti më i mirë, Akil Gjakova, i cili e fitoi këtë çmim për herë të dytë radhazi falënderoi Komitetin Olimpik të Kosovës për çmimin e radhës.