Kënga e publikuar së fundmi nga Shkurte Fejza dhe e bija e saj Gresa Behluli e titulluar “Nuse mësuese”, është kritikuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore. Sipas kësaj qendre, kënga përmban gjuhë të urrejtjes dhe promovon nënshtrimin e grave.

Qendra Kosovare për Studime Gjinore vlerëson se kënga “përveç që redukton gratë në rolet tradicionale gjinore, është shumëfish shtypëse për gratë duke qenë se promovon dhunën ndaj grave si mjet të disiplinimit të tyre”.

“Fjala prishë e fjala ndreqë
Zgjedhi nuse ma mire fjalët
Në daç punët mos me i pasë keq
Zgjedhi nuse fjalët me mjaltë”

“Me folë butë e me duru
Nana ty nuse t’ka mësu
Vjehrren me e respektu
Ti nderon prindërit e tu”, është një pjesë e këngës së Shkurtës me të bijën.

Sipas kësaj qendre këngë të tilla i kontribuojnë vazhdimësisë së thellimit të pabarazisë gjinore dhe përjetimit të grave si dytësore dhe lehtë të dominueshme.

Kënga është publikuar më 27 nëntor të këtij viti, dhe deri më tani ka grumbulluar mbi 306 mijë klikime në kanalin zyrtar “YouTube”./21Media