Një këpucë mëndafshi që i përkiste Marie Antoinette, mbretëreshës së fundit të Francës e cila u ekzekutua gjatë Revolucionit, do të dalë në ankand sot me një çmim fillestar prej 10,000 eurosh.

Shitja bëhet në Pallatin e Versajës, transmeton rtv21.tv.

Këpuca mban emrin e saj në thembër dhe Jean-Pierre Osenat, nga shtëpia e ankandit që po kryen shitjen, tha se mendohet se ajo e kishte veshur atë rregullisht gjatë jetës së përditshme në pallat.

Gjatë Revolucionit Francez, këpuca përfundoi në zotërimin e Marie-Emilie Leschevin, një mikeshë e ngushtë e dhomës së mbretëreshës. Familja e saj e mbajti atë për breza përpara se të dilte në ankand 227 vjet pas vdekjes së saj.

“Ky ankand po vjen në një kohë kur francezët po përballen me pasiguri të vërteta në lidhje me vlerat e tyre dhe shumë prej tyre janë duke u kapur pas historisë së Francës” tha Osenat. “Marie Antoinette është dikush që zgjon interesin e të gjithë botës”, shtoi tutje ai./21Media