Asnjë kompani deri tani nuk është dënuar për mosdhënien e pagave të punëtorëve edhe pse kanë marrë ndihmë shtetërore, pikërisht për këtë qëllim.

Pronarët kanë përvetësuar ndihmën shtetërore dhe nuk ua kanë dhënë punëtorëve. Gjithashtu deri tani nuk është ngritur as edhe një padi penale, njoftojnë nga Prokuroria për Krim të Organizuar në Maqedoninë e Veriut.

Nga prokuroria thonë se janë në fazën e mbledhjes së informacioneve.

“Lënda për të cilën tregoni interes, e që ka të bëjë me kallëzimet penale të dorëzuara nga sekretari gjeneral i Qeverisë për kompanitë që kanë keqpërdorur ndihmën shtetërore, është në procedurë parahetimore. Prokurori kompetent nga Prokuroria Themelore për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit mbledh dëshmi për zbardhjen e akuzave nga paditë penale. Për momentin Prokuroria nuk është në mundësi për të dhënë detaje për rastin”, thonë nga Prokuroria Publike për Përndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Qeveria sot ka publikuar edhe listën e azhurnuar të kompanive që kanë keqpërdorur ndihmën shtetërore dhe nuk i kanë kryer obligimet e pagës minimale për punonjësit e tyre.

Sanja Llukarevska, drejtoreshë e Drejtorisë për të Ardhura Publike tha se ne këto kompaninë në koordinim me Inspektoratin e Punës do të kryhet kontroll i detajuar mbi të gjitha llojet e tatimeve.

“Tek punëdhënësit të cilët kanë pranuar ndihmë shtetërore dhe të njëjtit nuk ua kanë dhënë pagat punonjësve, fillojmë me kontrolle të detajuara mbi të gjitha llojet e tatimeve dhe të njëjtat do të koordinohen me Inspektoratin Shtetëror të Punës”, u shpreh Sanja Lukarevska – drejtoreshë e DAP.

Llukarevska dje njoftoi se pronarët e 179 ndërmarrjeve morën ndihmë shtetërore për pagat e punëtorëve, por ato mjete i kanë mbajtur për vete, ndërsa rreth 340 punonjës nuk i kanë marrë pagat e tyre të tetorit. Disa nga pronarët që nuk u kanë dhënë paga punëtorëve, janë të njëjtit që kanë abuzuar me ndihmën për muajt prill, maj dhe qershor, ndërsa kryesisht bëhet fjalë për sektorët e shitjes me pakicë, transportit dhe kompanitë për ushqime të gatshme./TV21