Stafi i Kardiologjisë Invazive ka dërguar sot notë proteste në Zyrën e Kryeministrit, për siç thonë ata, marrjen e hapësirave të repartit të Kardiologjisë Invazive, për çka ka reaguar drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës.

Përmes një komunikate për medie, SHSKUK ka sqaruar se organizimi i hapësirave dhe personelit është bërë konform situatës me COVID-19.

“Nota e Klinikës së Kardiokirurgjisë me Kardiologji invazive përpjekje për të fshehur keqpërdorimet e evidentuara nga Njësia e Auditimit të Brendshëm-SHSKUK Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, në lidhje me shkrimin “Kardiologjia Invazive me notë proteste në adresë të Hotit për marrjen e hapësirave të repartit”, sqaron se organizimi i hapësirave dhe personelit në ShSKUK është bërë konform situatës me COVID-19”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se menaxhmenti i Klinikës së Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive ka qenë i konsultuar dhe i njoftuar nga Drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së, i cili ka pasur takim me menaxherët e klinikave dhe shefat e njësive. Poashtu, Komisioni për zgjerimin e kapaciteteve spitalore ka mbajtur disa takime nga të cilat kanë dalë vendime për zbatimin e të cilave është pajtuar edhe drejtori i këtij shërbimi.

“Kjo shkresë e Kardiologjisë Invazive vjen vetëm 12 orë pas publikimit të raportit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm të SHSKUK, i cili dëshmon keqpërdorime financiare dhe keqmenaxhim organizativ në Klinikën e Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive, të udhëhequr nga dr. Tefik Bekteshi. Ndaj atyre që kanë keqpërdorur besimin e menaxhmentit dhe qytetarëve, duke u munduar të fshihen pas “ kujdesit të shtuar për pacientë” do të veprohet konform akteve ligjore në fuqi. Drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së, siguron të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, se personeli SHSKUK-së, do të ofrojë shërbime të kujdesit shëndetësorë për të gjithë qytetarët në nivelin më të lartë profesional të mundshëm”, thuhet në njoftim.