Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri brenda dite ka marrë dy kërcënime. Kërcënimet Muhaxherit i janë bërë nëpërmjet rrjeteve sociale.

Për çka një ditë më pas rastin e ka paraqitur në polici.

Nuk dihet arsyeja e kërcënimit, por zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi e ka konfirmuar se me 14 nëntor kryetari Muhaxheri është kërcënuar.

Gashi thotë se rasti është cilësuar si kanosje, me ç’rast është njoftuar edhe prokurori.

“Me datën 14 nëntor rreth orës 15:26 minuta kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka pranuar përmes rrjeteve sociale dy kanosje. Me datë 15 rreth orës 11:00 e ka raportuar rastin. Ndërsa me rastin janë duke u marrë hetuesit rajonal. Është njoftuar edhe prokurori dhe rasti është cilësuar si kanosje”, tha Gashi.

Nuk dihet mesazhi kërcënues që i është bërë kryetarit Muhaxheri, ku sipas Gashit gjithçka do të dihet pasi të përfundojnë hetimet.

“Nuk kemi asnjë informacion se me çka e ka kanosur. Mirëpo detajet mund të dihen pasi të përfundojnë hetimet”, tha Gashi.