Këshilli drejtues i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës informoi sot se ka shqyrtuar gjendjen aktuale në shëndetësi gjatë muajve të Pandemisë COVID-19, punën e punëtorëve shëndetësor, si dhe shtesës në pagë prej 300 euro të ndarë nga Qeveria e Kosovës.

Anëtarët e Këshillit Drejtues, siç u njoftua, njëzëri ftojnë Qeverinë e Kosovës që të kryejnë pagesën e stimulimit shtesë për muajin korrik dhe gusht 2020 për të gjithë ata të cilët kanë mbetur pa e përfituar këtë stimulimi, si dhe të kryejnë pagesën e shtesave në pagë bazuar në Ligjin për Parandalim dhe luftimin e Pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës për muajt shtator dhe tetor me pagën e muajit tetor 2020.

“Në rast të mos realizimit të këtyre kërkesave të lartëpërmëndura Këshilli Drejtues do të merr vendim për Grevë të Përgjithshme në të gjitha insitiucionet shëndetësore. Këshilli Drejtues i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës gjithashtu i bën thirrje të gjitha partive politike që t’i lënë më një anë agjendat e tyre dhe të bëhen bashkë e ta miratojnë Pakon Emergjente për Rimëkëmbje Ekonomike.”, u bë e ditur në njoftim.