Pas 9 muajsh ballafaqim me Covid-19, me vështirësi të mëdha, pa kushte dhe pa hapësira për trajtimin e pacientëve të infektuar, sot në spitalin e Kërçovës u hap spitali modular me kapacitet prej 15 shtretërve.

Vlera e këtij spitali modular është 41 mijë euro dhe është financuar nga Gjermania.

Ambasadorja gjermane në Maqedoninë e Veriut tha se qëllimi kryesorë i presidencës Gjermane është ballafaqimi me pandeminë dhe pasojat e saja. Ajo tha se Ballkani mund të llogarisë në ndihmën e Gjermanisë.

“Gjermania deri më tani rajonin e ka mbështetur me 15 milion euro, veç kësaj BE-ja ndihmon me 3 miliard euro, ku Gjermania merr pjesë me 1/3. Vlera e donacionit në total është 41 mijë euro ndërsa u implementua përmes ministrisë së punëve të jashtme të Gjermanisë”, deklaroi Anke Holimjan- Ambasadore e Gjermanisë në RMV.

Drejtori i spitalit tha se për momentin janë 24 shtretër për personat me Covid-19, por me investimin e Gjermanisë ky kapacitet po zgjerohet.

“Ky është një kapacitet të cilin do ta përdorim për trajtime ditore spitalore ka 15 shtretër, megjithatë pas vitit të ri kemi projekt i cili është 1000 metër katror. Mbi 40 pacientë do të vendosen aty, ajo është nga Ministria e shëndetësisë dhe Komuna e Kërçovës, kemi edhe ne një pjesë. Për momentin kemi në dispozicion 24 shtretër për mjekim të pacientëve me Covid-19”, tha Stanko Terpeski- drejtor i spitalit të Kërçovës.

Pas Vitit të Ri siç tha drejtori i spitalit do të hapet edhe një Covid qendër në Kërçovë e financuar nga Ministria e shëndetësisë dhe nga Komuna e Kërçovës dhe do të ketë kapacitet për mbi 40 pacientë./21Media