Kërkohet angazhim ndërinstitucional për të përmirësuar gjendjen e pyjeve

Për shkak të prerjeve ilegale, degradimit dhe shkatërrimit të sipërfaqeve pyjore gjendja e pyjeve në Kosovë është e keqe. Kështu u tha sot në takimin e parë të Task-Forcës për Mbrojtjen dhe Shfrytëzimin e Ligjshëm të Pyjeve të Kosovës, i krijuar me vendim të Qeverisë së Kosovës dhe iniciuar nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci.
Ministri Peci tha se Kosova zotëron 40%  të territorit të saj me pyje dhe sfidë vazhdon të mbetet prerja ilegale e drunjve që dëmton pyjet.
Me qëllim të menaxhimit më të mirë të pyjeve, ministri i Peci tha se po punojnë në plotësim ndryshimin e Ligjit të pyjeve dhe drejt finalizimit është edhe strategjia e pyjeve për vitin 2021-2030. Peci deklaroi se përmes kësaj task-force synohet eliminimi i aktiviteteve ilegale në pyjet e Kosovë dhe përmirësimi i menaxhimit të të gjitha burimeve pyjore.
“Sfidë mbetet niveli i lartë i prerjes ilegale të pyjeve në Kosovë, kjo redukton dhe kufizon ndjeshmërinë e trajtimit të pyjeve në mënyrë adekuate duke pas për bazë praktikat më të mira. Legjislacioni i duhur do të mund të kontribuojë ruajtjes dhe menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve andaj kemi vendosur që në agjendë legjislative të trajtojmë me prioritet Ligjin për pyjet që është në procedurë të dëgjimeve publike dhe besojmë që deri në fundvit do e adresojmë […] Jemi në finalizimin e strategjisë për pyjet do thotë, ndërsa ligji është në proces të amendamentimit dhe komenteve andaj edhe puna e kësaj task-force do jetë e lehtë marrë parasysh që jemi në proces edhe të hartimit të strategjisë por edhe Ligjit për pyje. […] Qëllimi kryesor që të unifikohet përpjekja ndërinstitucionale për eliminim e aktiviteteve të paligjshme të pyjeve dhe në tregtimin e drurit, përmirësimin e legjislacionit në sektorin pyjor për të përmirësuar menaxhimin e qëndrueshëm të të gjitha burimeve pyjore për të arritur një konsensus që përcillet me veprimet për ta kthyer vëmendjen dhe veprimet e institucioneve përgjegjëse dhe publikut në ruajtjen e pyjeve si resurs kombëtar”, tha ai.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu shprehu gatishmërinë e dikasterit që ai drejton për krijimin e mundësive për menaxhim më të madh të pyjeve në Kosovë. Aliu përmendi si sfidë kapacitetet e vogla të resurseve njerëzore për mirëmbajtjen e pyjeve, për çka tha se deri tek menaxhimi më i mirë nuk arrihet pa u ndal prerja ilegale e pyjeve. Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu kërkoi nga Prokuroria që të ndihmojnë në ndërprerjen e aktiviteteve ilegale të prerjes së pyjeve.
“Në nivel vendi kapacitetet njerëzore sa i përket profesionistëve të fushës së pyjeve qofshin ata të nivelit teknikë po edhe ata profesionalë është jashtëzakonisht i vogël dhe meqenëse është i vogël na duhet që këtë shpërndarje të resurseve njerëzore ta bëjmë në mënyrë sa më efecientë të mundshme. E dimë që me rastin e shpalljes të parqeve nacionale të një pjesë e madhe të këtyre profesionistëve që janë tash në APK nuk kanë qasje në parqet nacionale, ndërsa parqet nacionale që janë sasi shumë e madhe e pyjeve dhe përveç asaj janë pjesa e pyjeve më cilësore mbetet e pambuluar nga niveli profesional. […] Bëhet fjalë për Lubotenin, zonën e Sharrit ku prerja është e organizuar dhe e strukturuar shumë mirë dhe këtë Policia e di më së miri e dinë edhe autoritetet e parkut nacional dhe të gjitha ankesat që na i kanë bërë kanë qenë tek ju, thonë krejt punë i bëjmë i zëmë por Prokuroria i lëshon gjykata nuk arrin në fund ta kryjë. Andaj iu kisha lutur që çështja e parkut nacional Sharri respektivisht në pjesën e territorit të Kaçanikut dhe Ferizajt që është pranë Lubotenit na mbetet që në një takim të radhës ta sqarojmë këtë çështje, Prokuroria të kryejë punën e saj të gjejë mënyrën, mekanizmat, se si ka me u ndal ai shkretim i pyjeve”, tha Aliu.
Ndërsa, zëvendëskryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Pyjore të Kosovës, Bekim Hoxha tha se gjendja e pyjeve në Kosovë nuk është aspak e mirë për shkak të degradimit dhe prerjes së madhe ilegale të pyjeve. Hoxha tha se Kosova ka vetëm 147 punëtorë në këtë sektor, prej tyre inxhinierë të fushës janë 33, ndërsa vetëm 35 persona janë teknikë të pylltarisë.
Si sfidë për menaxhim më të mirë të hapësirave pyjore në Kosovë, zëvendëskyreshefi i APK-së, Bekim Hoxha ka identifikuar edhe menaxhimin e pyjeve nga niveli komunal, për çka tha se Komunat nuk po arrijnë të kryejnë këtë obligim në mungesë të kapaciteteve.
“Nëse flasim për situatën e tanishme në pyje në bazë të vlerësimeve të ekspertëve ndërkombëtarë, por edhe të ata vendorë, gjendja në pylltari nuk është e mirë kjo duhet të evidentohet dhe të përcaktohet saktë. Nëse e shohim në bazë të invertarizimit nacional të pyjeve që është bërë herën e fundit në vitin 2012 dhe vitin 2002 e sheh që rritja është e lehtë edhe pse nuk është e mjaftueshme kemi degradim, prerje ilegale dhe mos të them shkatërrim të disa sipërfaqeve që do thotë që kemi nevojë për bashkërendim të institucioneve duke nisur nga Prokuroria, Policia, Inspektorati dhe të gjitha institucionet me qëllim të mbrojtjes së pyjeve. […] Qysh nga viti 2010 kompetencat e mbrojtjes dhe shfrytëzimit të pyjeve është deleguar komunave siç po shihet degradimi dhe menaxhimi në nivel komunal nuk kanë as kapacitet komunale dhe as ato që do arrijnë ta bëjnë mbrojtjen, disa nga komunat janë deklaruar edhe personalisht që nuk janë të aftë për ta bërë këtë punë është më se urgjente aprovimi i ligjit për pyje po ashtu ndërlidhet me ligjin për vetëqeverisje lokale”, tha ai.
Përfaqësuesi i FAO-së, Ekrem Yazici tha se pritshmëritë nga sektori i pylltarisë në Kosovë janë shumë të mëdha dhe si zgjidhje për ndërprerjen e prerjes ilegale ai përmendi vendosjen e kamerave, por që sipas tij pastaj kjo mund të ketë implikimet ligjore. Yazici theksoi se këtë Task Forcë do e mbështesin në shumë aspekte, qoftë përmes ofrimit të trajnimeve, përvojave ndërkombëtarë dhe aspekteve ligjore.
“Kosova ka shtrirje të gjerë të pyjeve me vlerë të lartë të biodiveristetit nga ana tjetër vendi është në zhvillim e sipër rrjedhimisht ka shumë pritje nga sektori nga popullsia vendase, nga industria, turizmi nga mjedisi, etj. Sektori duhet të adresojë të gjitha këto çështje dhe kur nuk ne e mbështesim zhvillimin e sektorit në një vend i marrim parasysh të gjitha aspektet. […] Po mendojmë shfrytëzimin e teknologjive të reja dhe kurtheve me kamera për të penguar prerjen ilegale, kjo është njëra prej zgjidhjeve por kjo ka edhe implikacione ligjore se a mund të përdoren ato fotografi në gjyq. Të gjitha këto duhet të merren parasysh bashkërisht”, theksoi Yazici.
Në përbërjen e Task-forcës për Mbrojtjen dhe Shfrytëzimin e Ligjshëm të Pyjeve të Kosovës ishin pjesëmarrës edhe përfaqësues nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, Policia e Kosovës, Prokuroria dhe institucione të tjera.

Back to top button