Pas aktakuzave nga Specialja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kërkon mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë, mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, seancë të jashtëzakonshme dhe takim të të gjithë spektrit të për gjetjen e unitetit politik.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po përcjellë me shqetësim zhvillimet pas aktakuzave të Dhomave të Specializuara për ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. AAK beson në drejtësi, në luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës dhe në pafajësinë e luftëtarëve të UÇK-së! Lufta e UÇK-së ishte luftë çlirimtare dhe mbrojtëse, kundër pushtetit kriminal e gjenocidal serb, dhe do të dëshmohet si shumë herë më parë, pastërtia e saj”, thuhet në deklaratën e AAK-së.

AAK kërkon:

1.Mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë për gjendjen e krijuar pas ngritjes së aktakuzave nga Dhomat e Specializuara. Qeveria duhet të ndërprejë menjëherë të gjitha aktiviteteve që lidhen me procesin e dialogut me Serbinë, deri në një situatë të re

2.Mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë së Kosovës për situatën e sigurisë së përgjithshme

3.Seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, në përkrahje të vlerave të UÇK-së dhe luftëtarëve të lirisë

4.Takim të të gjithë spektrit politik për gjetjen e unitetit kombëtar në ballafaqimin me sfidat politike dhe kushtetuese

Në fund AAK ka pyetur aleatët strategjik ndërkombëtarë, se “a jemi në rrugën e duhur për antarësim në NATO, apo këto ngjarje do e kthejnë Kosovën prapa?”.

Përveç presidentit Hashim Thaçi, aktakuza nga Specialja iu konfirmua edhe liderit të PDK-së, Kadri Veselit dhe deputetit nga VV-ja, Rexhep Selimi. Në vazhdë të këtyre zhvillimeve, dje ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi është arrestuar nga hetuesit e Gjykatës Speciale dhe është dërguar për në Hagë./21Media