Kërkohet paraburgim ndaj të arrestuarit për krime lufte në Kaçanik

Prokuroria Speciale e Kosovës ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një të dyshuari për krime lufte në Komunën e Kaçanikut.

Sipas njoftimit në Faceboook, i dyshuari me inicialet A.D. dyshohet se ka kryer veprën penale “krim lufte kundër popullsisë civile” gjatë vitit 1999, në fshatin Ivajë dhe në fshatrat përreth të kësaj komune.

Njëherësh Prokuroria dje ka bërë të ditur që gjatë arrestimit janë sekuestruar një armë, dy karikatorë, 30 fishekë, një armë gjueti si dhe një uniformë e MUP-it serb.

Komunikata e plotë:

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore ne Prishtinë – Departamenti Special, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.D., nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “krim i luftës kundër popullsisë civile” gjatë vitit 1999, në fshatin Ivajë dhe fshatrat përreth të Komunës së Kaçanikut.

Sipas kërkesës, A.D., në cilësinë e pjesëtarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP) në Ferizaj dhe polic i trafikut në regjionin e Kaçanikut, në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar të forcave policore, ushtarake serbe, më 09.03.1999, gjatë një aksioni të organizuar policor ushtarak kundër popullsisë civile shqiptare, i detyroi banorët të largohen nga shtëpitë e tyre, të cilat më pas u dogjën dhe u shkatërruan.

Ndërsa nëntëdhjetë e një (91) meshkuj u ndanë nga rreth katërqind (400) burra, gra, pleq e fëmijë të grumbulluar, dhe u dërguan në stacionin policor në Kaçanik.

Sipas kërkesës, prej tyre, trembëdhjetë (13) civilë u ndaluan me qëllim të marrjes në pyetje, me ç ‘rast u rrahën dhe u torturuan në mënyrë brutale, çnjerëzore, fizike dhe psikike nga i pandehuri A. D., duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore në pjesë të ndryshme të trupit.

Back to top button