Prokuroria Themelore e Gjilanit, sot bëri të ditur se ka kërkuar nga Gjykata kompetente në Gjilan, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj të dyshuarit D.P., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Ngacmimi’.

“Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se më 04 maj 2020, i dyshuari D.P. (i nacionalitetit serb), me dashje dhe me qëllim të frikësimit, ka shqetësuar të  dëmtuarin Z.S. ( të nacionalitetit serb) – toger në Forcën e Sigurisë së Kosovës, ashtu që  përmes rrjetit social ‘’Facebook’’, ka publikuar fotografi të ish Komandantit të UÇK-së Ramush Haradinaj në uniformë ushtarake dhe të të dëmtuarit në uniformë dhe me flamuj të FSK-së, me ç’rast pas këtij publikimi i dëmtuari ka pranuar mesazhe kërcënuese, fyese dhe degraduese për integritetin e tij dhe të familjes.”, njoftoi prokuroria përmes komunikatës.

Sipas prokurorisë, i dyshuari postimin e kishte larguar nga rrjeti social pas një ore, mirëpo i dëmtuari prapë ka vazhduar që të pranonte mesazhe kërcënuese, ku me ato veprime ka nxitur urrejtje, duke shkaktuar te i njëjti frikë dhe shqetësim të madh për jetën e tij dhe të familjes.

“I dyshuari D.P., me aktvendim të prokurorit gjendet në ndalim 48 orësh.”, bëri të ditur më tutje prokuroria./21Media