Avokati ka kërkuar që të nxjerren prova të reja

Avokati ka kërkuar që të nxjerren prova të reja

I akuzuari për vrasjen e gruas së tij dhe vajzës së tij 9 vjeçare, Pjetër Ndrecaj, është sjellë para Gjykatës në Gjakovë për ta kundërshtuar aktakuzën e Prokurorisë. Mbrojtësi i të akuzuarit, Pjetër Ndrecaj, avokati Ndrec Dodaj kundërshtimin e aktakuzës e kishte bërë me shkrim. Avokati kishte kërkuar që të nxjerren prova të reja, përkatësisht të sigurohet një raport psikiatrik lidhur me gjendjen mendore të të akuzuarit me rastin e kryerjes së veprës penale.

Po ashtu, Dodaj kishte kërkuar që ekzaminimi psikiatrik i të akuzarit Pjetër Ndrecaj, që ishte bërë disa muaj para vrasjes të merret si provë e papranueshme. Ky ekzaminim ishte bërë në muajin qershor kur ka ndodhur dhuna në familje, ndërsa vrasja e dyfishtë ka ndodhur në muajin gusht. Në anën tjetër mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Isa Osdautaj, kërkoi nga gjykata që mos ta pranojë propozimin e avokatit Ndrec Dodaj. Ndërsa prokurori Ali Uka, kërkoi nga gjykatësi Gëzim Pozhegu që të hudhet poshtë kundërshtimi i aktakuzës dhe aktakuza të vlerësohet si e mbështetur në prova dhe fakte të sigurta.

Ndërkaq gjykatësi Gëzim Pozhegu, tha se lidhur me propozimet e palëve do të vendos me vendim të veqantë. Në seancën e kaluar, Pjetër Ndrecaj nuk e kishte pranuar fajësinë për vrasjen e gruas dhe vajzës së tij. Ai ishte sjellur në gjykatë i lidhur më zinxhirë. Për këtë rast ishte kërkuar përjashtimi i gjykatës dhe prokurorisë.

Pjetër Ndrecaj, ishte gjykuar e dënuar për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij. Nga Gjykata e Apelit, Pjetër Ndrecajt, iu dha dënimi më i lartë në Kosovë, dënim ky me burgim të përjetshëm, ndërsa Gjykata Supreme kishte vendosur që këtë rast ta kthejë në rigjykim. Kolegji i Gjykatës Supreme, kishte konstatuar se në aktgjykimin e shkallës së parë ishin bërë shkelje esenciale të procedurës penale, e më pas gjykata e shkallës së dytë kishte kaluar mbi këto shkelje. Bëhet e ditur tashmë se para tre muajsh, ishte djegur shtëpia ku jetonte familja e Valbona Marku Ndrecaj.

Aktakuza thotë se Valbona Ndrecaj së bashku me vajzën e saj ishin qëlluar për vdekje nga kryefamiljari mbrëmjen e shtatë gushtit 2018./kallxo.com