Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) kërkon reagimin e institucioneve të Kosovës si dhe atyre të Shqipërisë lidhur me rastin e 20 vjeçares nga Kosova, e cila për një kohë u raportua e zhdukur, e për të cilën dyshohet se u abuzua seksualisht nga dy vëllezër të një fshati të Kukësit.

Raportohet se dy vëllezërit tashmë janë arrestuar nga policia e Kukësit, si dhe materialet që ngarkojnë ata me këtë vepër, i janë dërguar Prokurorisë së Kukësit.

“Arrestimi i tyre u bë pasi dyshohet se kanë kryer marrëdhënie seksuale me një shtetase kosovare, 20 vjeçe, duke përfituar nga pazotësia fizike dhe mendore e saj”, thuhet në njoftimin e policisë së Kukësit.

Përmes kësaj kumtese, RrGK kërkon që ky rast të trajtohet me seriozitet nga institucionet e drejtësisë të të dy shteteve, duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për adresimin e tij dhe dënimin e personave përgjegjës.

“Përdhunimi i vajzave dhe grave në shoqërinë tonë mbetet ndër brengat kryesore, për të cilën duhet të ngrisim zërin të gjithë ne, vazhdimisht dhe pa asnjë kompromis. Kurse, reagimi i duhur institucional ndaj këtyre rasteve ndikon në luftimin e tyre dhe krijimin e një shoqërie ku vajzat dhe gratë gëzojnë një jetë të barabartë dhe pa dhunë me bazë gjinore”, thuhet në reagimin e RrGK-së./21Media