Të përmbyllet infrastruktura ligjore në fushë të ndërtimeve

Të përmbyllet infrastruktura ligjore në fushë të ndërtimeve

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, sot është takuar me përfaqësuesit e Shoqatës së ndërtimtarëve të Kosovës, Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, ministrat e MAPL-së, MMPH-së dhe drejtorin e Policisë së Kosovës, për të diskutuar situatën në sektorin e ndërtimtarisë, pas vdekjes tragjike të një të riu në Mitrovicë në vendpunishte.

Haradinaj është shprehur se Qeveria do të ndërmarrë hapat e nevojshëm në aktivizimin e inspektimit të punës dhe kontrollit të shtuar në tregun e ndërtimeve.

Kërkova nga Ministria e Pushtetit Lokal dhe Ministria e Ambientit që menjëherë t’i drejtohen komunave për shtimin e kapaciteteve të inspektimit dhe kontrollit adekuat të lejeve. Gjithashtu, Policia ka filluar menjëherë hetimin e rasteve të fundit dhe do të shtojë kapacitetet në asistencë të inspektorëve“, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Tutje kryeministri, ka shtuar se është duke pritur përshpejtimin e miratimit të ligjit në Kuvend, i cili sipasi tij, rregullon liçensimin e arkitektëve dhe inxhinierëve, gjë që do të kontribuonte në përcaktimin e saktë të përgjegjësisë së secilit.

 

Të hënën në mitrovicë humbi jetën një 28-vjeçari, i cili ishte zënë nga gërmadhat e shembjes së ish-hotel “Adriatikut”.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë në lidhje me këtë rast kërkoi nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për dy të dyshuarit A.H dhe Q.H, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Lajmi për vdekjen e të riut në vendin e punës tronditi të gjithë vendin, ngushëllime për familjen e tij shprehën krerët e shtetit, të cilët kërkuan nga institucionet që të hetohen shkaktarët e kësaj shembjeje.

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ditën e djeshme e ka shpallur ditë zie, në shenjë nderimi dhe dhimbje për humbjen e jetës së të riut në vendin e punës./21Media