Komiteti Shqiptar i Helsinkit i bëri thirrje autoriteteve shqiptare për gjetjen e një zgjidhje të shpejtë

Komiteti Shqiptar i Helsinkit i bëri thirrje autoriteteve shqiptare për gjetjen e një zgjidhje të shpejtë

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) përmes një deklarate për media tha se po ndjek me vëmendje situatën shqetësuese të disa shtetasve shqiptarë të bllokuar në zonën neutrale midis kufirit grek dhe atij shqiptar, pasi nuk lejohen të futen në territorin shqiptar nga autoritetet shqiptare të kufirit, si në Pikat e Kalim Kufirit Kakavijë dhe Kapshticë.

Sipas medias, midis tyre ka patur dhe vijon të ketë të sëmurë, gra dhe fëmijë ndërkohë që flitet që ka patur edhe transferim të të sëmurëve nga autoritetet në spitalet e qyteteve kufitare.

KShH i bëri thirrje autoriteteve shqiptare për gjetjen e një zgjidhje të shpejtë dhe emergjente ndaj kësaj situate. “Qëndrimi i këtyre shtetasve në zonën neutrale për orë të tëra dhe pa kushtet minimale të jetesës vendos në rrezik jetën dhe shëndetin e tyre si dhe i nënshtron këta shtetas ndaj elementëve të trajtimit johuman dhe degradues”, thuhet në komunikatë.

“Sipas Kushtetutës, shteti shqiptar duhet të mbrojë të drejtat e shtetasve shqiptare me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të vet (neni 8). Çdo kufizim i vendosur, edhe në kushtet e emergjencës, nuk duhet të cenojë kriteret minimum të kërkuara nga neni 17 i Kushtetutës. Në mënyrë të veçantë, KShH vlerëson se ndalimi i shtetasve shqiptarë për të hyrë në vendin tonë, cenon thelbin e lirive dhe të drejtave të njeriut, pra është në tejkalim të kritereve minimum të parashikuara në nenin 17 të Kushtetutës”, vijon komunikata.

KShH i rekomandon autoriteteve një qasje humane dhe jo ndëshkuese ndaj kësaj kategorie personash, të cilët kanë vepruar në kushtet kur liria e tyre e lëvizjes është kufizuar në mënyrë jo proporcionale dhe në kushtet për të garantuar mbijetesën, pasi nuk përballojnë dot qëndrimin dhe jetesën në vendet fqinje. /kp