Këshilli Gjyqësor konsideron se avokatët e keqinterpretuan vendimin e tyre

“Avokatët janë duke e keqinterpretuar qëllimisht rekomandimin e KGJK-së”

Bojkotimi i seancave gjyqësore nga avokatët, ka bërë që Këshilli Gjyqësor i Kosovës të nxjerr një rregullore të re të brendshme, ku do të përcaktohen rregullat sa i përketë rendit shtëpiak dhe sjelljes së avokatëve në gjykata.

Kështu bëri të ditur në një intervistë për KP, kryetari i KGJK-së, Nehat Idrizi.

Ai u shpreh se rekomandimi i tyre, ku i ndalon avokatët të hynë në gjykata pa ftesa, nuk ka për qëllim kufizimin e tyre dhe lirinë e ushtrimit të punës së tyre.

Mirëpo, siç ka thënë Idrizi, qëllimi ka qenë që të pengohet komunikimi ndërmjet avokatëve dhe gjyqtarëve.

“Kemi marr vendim, ku kemi autorizuar komisionin për çështje normative në bashkëpunim me komisionin për administrimin e Gjykatave të nxjerr një rregullore të brendshme në të cilën do të përcaktohen rregullat sa i për ketë rendit shtëpiak nëpër Gjykata. Nuk ka qenë qëllimi i kufizimit, lirisë së ushtrimit të funksionit të avokatit, për arsye se dihet për përgjegjësit dhe detyrat që kanë avokatët… qëllimi ka qenë që të bëhet një rend shtëpiak njëfarë mënyrë të pengohet komunikimi ndermjet avokatëve dhe gjyqtare. Për arsye D+ që ka bërë një anketim, një përqindje e avokatëve ka deklaruar se ata kontakojnë direkt me gjyqtarët qoftë për lëndë, apo çështje tjera”, tha ai.

Ndërsa, sa i për ketë vendimit, ai tha se rekomandimi i KGJK-së është në Gjykatën Kushtetuese dhe janë duke e pritur vendimin final të saj.

Sipas tij, sido që të vendos kushtetuesja, ata do të respektojnë.

“Ai vendim është vetëm për Gjykatat Themelore të Prizrenit, kryetari i gjykatës e ka nxjerrë atë vendim,  çështja është në Gjykatën Kushtetuese. Ne jemi duke e pritë për arsye se avokatët që kanë iniciuar çështjen në gjykatën Kushtetuese janë nga Prizreni dhe ne presim vendimin nga Gjykata Kushtetuese dhe si do  që të vendosë ajo gjykatë ne do të respektojmë atë vendim”, tha Idrizi.

Kurse, bojkotin e avokatëve e cilëson të paarsyeshëm, pasi siç ka thënë Idrizi avokatët janë duke e keqinterpretuar qëllimisht rekomandimin e KGJK-së.

Ai po ashtu bëri të ditur se bojkoti i avokatëve ka paraqitur probleme tek rastet emergjente, sidomos tek paraburgimi, kurse tha se disa nga avokatët por dhe shoqëria civile po i dalin në mbështetje atyre.
“Ka pasur probleme tek rastet emergjente, sidomos tek paraburgimi, ne është dashur dhe sot dhe në ditët e ardhshme kemi pranuar e-mail nga avokatët por dhe nga shoqëria civile ku dalin në mbështetje tonë, kërkojnë që në njëfarë mënyrë të dilet nga kjo situatë. Për arsye se dëmin më të madh e pësojnë qytetarët, që kanë lëndë në gjykata”, deklaroi kryetari i Këshillit Gjyqësor, Nehat Idrizi

Idrizi tha se bojkot total nuk ka pasur, sipas tij, disa avokatë kanë shkuar në seanca gjyqësore.

Back to top button