Eksperti më i lartë amerikan për Sëmundjet Infektive, Anthony Fauci, tha se ai dhe gruaja e tij nuk do të shohin tre fëmijët e tyre për Krishtlindje ose për ditëlindjen e tij në prag të Krishtlindjeve dhe u kërkoi amerikanëve të tjerë të veprojnë njëjtë. Fauci i bëri komentet gjatë një interviste me gazetën Power Up të Washington Post.

“Unë do të jem me gruan time”, tha Fauci. “Festa e Krishtlindjeve është një festë e veçantë për ne sepse pragu i Krishtlindjes është ditëlindja ime”, shtoi Fauci, i cili po mbush 80 vjet, transmeton portali rtv21.tv.

Fauci, duke vënë në dukje se shumë amerikanë injoruan udhëzimet shëndetësore në ditën e Falënderimeve paralajmëroi se Krishtlindjet nuk mund të jenë “biznes si zakonisht”.

“Qëndroni në shtëpi sa më shumë që të keni mundësi, mbani distancë me anëtarët e familjes”, porositi Fauci.

Fauci kërkoi qëndrueshmëri, duke u thënë se pandemia është “një situatë e pazakontë” dhe “nuk do të zgjasë përgjithmonë”.

“Ka shumë të ngjarë që me shpërndarjen e vaksinave, ne do të kthehemi në normalitet deri në Krishtlindjen e ardhshme”, tha Fauci.

Numri i njerëzve që kanë vdekur nga koronavirusi në SHBA kaloi 300,000 të hënën, sipas Universitetit Johns Hopkins, me rreth 2,400 njerëz që vdesin mesatarisht në ditë./21Media