Këshilltari Special i Trumpit: Kosovës e Serbisë do t’ia prezantojmë të gjitha çështjet, të shohim a duan t’i diskutojnë

 

Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndonjë plan sekret për Kosovën e Serbinë dhe nëse palët duan ndihmën e Uashingtonit, duhet të shënojnë progres në çështjet ekonomike ka thënë një këshilltar i lartë i presidentit amerikan, Donald Trump, gjatë një telekonference me gazetarë, në prag të takimit mes palëve në Shtëpinë e Bardhë. Këshilltar i posaçëm i Presidentit Donald Trump tha se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë këtë javë do të përqendrohen tek zhvillimi i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. 

Një këshilltar i posaçëm i Presidentit Donald Trump,  në kushte anonimiteti tha se në takimin e të enjtes me 3 shtator në Shtëpinë e Bardhë do të diskutohet vetëm për çështjet ekonomike, por nuk përjashtoi mundësinë që çështje të tjera të hapen në takimin e të premtes me 4 shtator.   “Të enjten, do të ketë çështje ekskluzive ekonomike në tryezë dhe unë pajtohem me presidentin Aleksandar Vuçiq se askush nuk e di se cilat çështje do të diskutohen të premten. Ky është një nga problemet me të cilat përballemi vazhdimisht,  që publiku dhe politikanët ta shikojnë këtë proces vetëm në mënyrë të njëanshme. Ne do të shohim se çfarë do të ndodhë të premten, çfarë do të ndodhë të hënën”, ka thënë ai.

Në pyetjen se a ekziston mundësia që të ketë një marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë në mes të Kosovës dhe Serbisë, ngjashëm me atë që nënshkruan Emiratet e Bashkuara Arabe me Izraelin, Këshilltari i Posaçëm i presidentit Trump tha se palëve në dialog do t’iu propozohet çdo çështje. “Ne do të hedhim në diskutim çdo çështje. Ne do t’i testojmë palët nëse janë të gatshme ose jo, nëse ekziston apo jo dëshira që palët të flasin rreth këtyre çështjeve. Mendoj se do të propozojmë çdo çështje. Por, vendimi do të mbetet në dorën e palëve nëse dëshirojnë që të ecin përpara”, thesoi ai.

Këshilltari që foli me gazetarët me kusht që të mos identifikohej tha se Shtetet e Bashkuara, nuk kanë një plan sekret dhe nuk kanë asgjë për të kërkuar nga palët. “Nëse palët nënshkruajnë diçka që mendojnë se është e drejtë, se po marrin diçka më shumë se sa po japin, dhe mendojnë se është një marrëveshje e mirë, atëherë do të nënshkruajnë. Ne nuk kemi plan sekret, nuk kemi parakushte. Nëse palët duan ndihmë nga SHBA-të, nëse duan dollarë amerikanë, atëherë duhet përparim ekonomik. Ne nuk duam t’i shpenzojmë paratë tona dhe të qëndrojmë të vendosur’, shtoi ai.

Këshilltari i Posaçëm i Presidentit Trump përmendi marrëveshjet për transportin ajror, hekurudhor dhe rrugor si shembuj, duke i quajtur ato “historike”.  Por theksoi se ende nuk dihet nëse presidenti Trump do të marrë pjesë në takimin e të premtes. “Presidenti Donald Trump është i përfshirë në proces dhe në diskutimet lidhur me çfarë mund të bëjë pala amerikane për t’u dhënë përparësi projekteve ekonomike. Por në fund të fundit, mendoj se palët duhet të jenë në gjendje të shënojnë përparim, në mënyrë që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë t’i përdorin këto mekanizma në mënyrë të fuqishme. Ne do të ngjallim entuziazëm për rritjen e ekonomisë dhe të lëmë çështjet politike dytësore”, deklaroi ai.

Ndërkohë, kryeministri Avdullah Hoti, nga Uashingtoni ka thënë se atje me Serbinë takohen vetëm për njohje reciproke, duke ritheksuar se kjo është formula e vetme për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, anipse presidenti i Serbisë Vuçiq, paralajmëroi se nëse në takim paraprak bilateral vihet në tavolinë çështja e njohjes së Pavarësisë së Kosovës, takimi i 4 shtatorit nuk do të ndodhë fare. Kryeministri Hoti është zotuar se asnjëherë nuk do të lejojë të shtrohet në tavolinë çështja e shkëmbimit të territoreve. Ai ka theksuar se kanë marrë mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë që procesi i dialogut të zgjasë vetëm disa muaj dhe jo të stërzgjatet. ‘’Edhe nëse nuk e përmbyllim marrëveshjen ne duhet të tregohemi një shtet i matur” ka theksuar tha Hoti. /21Media 

Back to top button