Derisa afati kalimtar i transfereve është mbyllur tashmë në shumë liga, spekulimet për merkaton e janarit nuk kanë të ndalur.

Bota e futbollit vazhdon, edhe sot ku ka shumë spekulime për lojtarë të ndryshëm në Evropë, por më interesantet do t’i gjeni më poshtë.

Sipas “Calcio Mercato”, klubi i Interit po përgatitet ta shesë mesfushorin Marcelo Brozovic në janar. 27-vjeçari ishte protagonist i një loje të dobët kundër Milanit në “Derby della Madonnina”, ku Interi pësoi humbje 1:2. Monaco dhe Tottenham kanë qenë të interesuar për shërbimet e kroatit, i cili ka edhe dy vjet kontratë me “Nerazzur-ët”.

Tottenham po konsiderojnë që të bëjnë një lëvizje për mesfushorin e Rennes, Eduardo Camavinga raporton “Don Balon”. Jose Mourinho është një admirues i madh i 17-vjeçarit, i cili ka kohë që po lidhet me një lëvizje të mundshme drejt Real Madridit.

“Spurs” mund të jenë të gatshëm ta rivalizojnë Real Madridin për shërbimet e lojtarit, por ata duhet të paguajnë 94 milionë euro.

“Don Balon” raporton se ylli i Real Madridit, Sergio Ramos është shprehur se një ditë ka dëshirë ta shohë bashkëkombësin e tij, Adama Traore te “Galaktikët”.

Kapiteni i Spanjës dëshiron të luajë me Traoren te Real Madridi dhe thuhet se ka biseduar me presidentin Florentino Perez rreth mundësisë së transferimit të tij. Traore, i cili e filloi karrierën te Barcelona, ka kontratë me klubin e tij Wolves edhe për tri vjet.

Mbrojtësi i krahut të majtë te Real Madridi, Marcelo thuhet se dëshiron ta shkëpusë kontratën me “Galaktikët” raporton “Don Balon”. Braziliani është i pakënaqur me minutat aktuale te Reali pasi ka humbur besimin e trajnerit Zinedine Zidane.

Spekulohet se për shërbimet e 32-vjeçarit është i interesuar ekipi i David Beckham, Inter Miami dhe se është i gatshëm ta bindë lojtarin të bashkohet me ta, nëse ky i fundit shkëput kontratën dyvjeçare me Real Madridin.

Manchester City është duke planifikuar ofertë prej 15 milionë euro për yllin e Barcelonës, Lionel Messi, përcjell “Daily Star”. Një rikthim mes Guardiolas dhe Messit pritet të bëhet së shpejti, ku sipas spekulimeve, Barcelona është e gatshme ta lë të lirë Messin në janar.

Sipas shumë spekulimeve, 33-vjeçari do të largohet nga “Blaugranët” në fund të këtij edicioni, por Manchester City është i gatshëm të ofrojë rreth 15 milionë euro, një shumë simbolike, vetëm për ta marrë në radhët e tyre.