Këto janë të gjitha vendimet që u morën sot në mbledhjen e Qeverisë

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në rastet e veçanta të destabilizimit në treg. Ky projektligj i rikthyer sërish pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese, u tha se synon mbrojtjen e konsumatorit dhe parandalimin e rritjes së çmimeve të produkteve bazë në raste inflacionit pas krizave globale. Krahas kësaj, ekzekutivi në mbledhjen e sotme miratoi një sërë projektligjesh, mes tyre edhe Projektligjin për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor, i cili po ashtu ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2024.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, tha se projektligji i ri për çmimet tavan ka marrë në konsideratë rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese.
Ajo tregoi se do të përcaktohen dy lloje të masave të përkohshme, përkatësisht caktimi i marzhës tregtare për shitje me shumicë dhe pakicë si dhe caktimi i çmimit maksimal të lejuar për produktet bazë.
Kusari-Lila tha se vendimmarrja për vendosjen e këtyre masave do t’i jetë një bordi që do të themelohet nga Kuvendi i Kosovës.
“Synim është mbrojtja e konsumatorit dhe interesit publik, si dhe vendosja e një mekanizmi të ri të pavarur institucional dhe procedural për menaxhimin e situatave që vijnë si rezultat i luhatjeve të çmimeve në treg. Gjatë hartimit të këtij projektligji, pasi është për herë të dytë para qeverisë dhe kuvendit, janë marrë në konsideratë rekomandimet nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me ligjin paraprak. Përcakton dy lloje të masave të përkohshme: caktimin e marzhës tregtare për shitje me shumicë dhe pakicë si dhe caktimin e çmimit maksimal të lejuar për produktet bazë. Kjo për faktin se një numër i masave të tjera të ligjit paraprak janë masa që bien drejtpërdrejt në kompetencën e MINT sipas ligjeve në fuqi. Sa i përket vendimmarrjes për këto masa, parashihet themelimi i një bordi të pavarur që do të emërohet nga Kuvendi dhe do t’i raportojë atij”, tha ajo.
Në anën tjetër, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se Projektligji për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor do të krijojë një sistem të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës që do të rregullojë sistemin shëndetësor.
“Pas mbi dhjetë viteve përpjekje, ky projektligj përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të sigurimeve shëndetësore. Me këtë ligj krijohet fondi i sigurimit të detyrueshëm, funksionimi dhe financimi i këtij fondi. Ky ligj e përfshin të gjithë popullatën duke synuar qasje universale në shërbime themelore shëndetësore dhe ngritje të cilësisë së këtyre shërbimeve. Ky ligj krijon bazë për transformimin e mekanizmit të sistemit shëndetësor, mbulimin universal të shëndetit dhe të zvogëlojë pabarazinë e shkaktuar nga shërbimet shëndetësore”, tha ai.
Ekzekutivi miratoi edhe Projektligjin për shtetësinë, për çka ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se do të përfitojë edhe diaspora.
“Gjithashtu, përmes këtij projektligji realizojmë premtimin e qeverisë për lehtësimin maksimal të procesit të rikthimit të shtetësisë së Republikës së Kosovës për diasporën tonë që për shkak të kufizimeve të shteteve të tyre është dashur të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës”, theksoi ai.
Në mbledhjen e sotme u ndanë edhe mjete financiare për Luginën e Preshevës, u emërua bordi i drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Hidrodrini në Pejë. Kryesuese e bordit u emërua Qëndresa Kukaj-Prelvukaj, ndërkaq anëtarë: Naim Haziri, Mjellma Vokshi dhe Ismet Fekaj.
Qeveria po ashtu ndau mbi 2 milionë euro për KQZ-në për mbulimin e obligimeve të papaguara që rrjedhin nga organizimi i zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor të vitit të kaluar.