Prishtina ka ngritur zërin duke kërkuar që kampionati të vazhdojë dhe fati i edicionit 2019/20 të përcaktohet në fushën e blertë.

Përmes një njoftimi në Facebook, Prishtina ka dhënë disa arsye, që sipas saj dëshmojnë se kampionati duhet të rifillojë sa më shpejt.

“Me rifillimin e Superligës, Kosova jep shembull për menaxhimin e pandemisë. Parimi i UEFA-së është gjithmonë që ndeshja dhe fituesi i garave të shpallët në fushën e blertë. Andaj edhe për këtë arsye reagimi i tyre ishte i ashpër ndaj pak atyre shteteve që kanë vendosur të ndërpresin kampionatet. Në vazhdën e kësaj fryme, si shtetet më të prekura nga pandemia si Spanja dhe Italia, e për Gjermaninë mos të flasim që do të rifillojë e para më 15 maj, kanë vendosur që patjetër të vazhdoj kampionati. Po ashtu edhe shtetet e rajonit, e sidomos shembullin më të mirë kanë dhënë vendi i nënkampionëve botëror, Kroacia.”, thuhet ndër tjerash në reagimin e klubit Prishtina.

Klubi thotë se meqë statistikat janë më të mira në Kosovë, do të jepte edhe një shembull para botës se vendi ynë mund të ia dal edhe në rinisjen dhe përfundimin e kampionatit të Superligës në fushën e blertë.

“Po ashtu, duke marrë parasysh se klubet tona, pjesën më të madhe të buxhetit të saj e mbushin nga garat ndërkombëtare, do të dëmtoheshin jashtëzakonisht shumë dhe po ashtu do të qonte shumë pluhur, dhe nuk do të kishte rregullsi me çfarë do metode tjetër nëse do të vendosej për plasmanin në Evropë. Andaj, FC Prishtina, futbollistët e saj, janë unik në qëndrimin, që shteti duhet të toleroj, të ndërmarr masa që të rinisë futbolli në Superligën tonë. Për fund, nuk duam t’ua potencojmë se sa është e dëmshme shkenctarisht që një futbollist të jetë pa aktivitet dhe pa lojë futbolli për më shumë se një muaj, e lëre më gjashtë apo shtatë muaj. Pra, kërkojmë me ngulm mirëkuptimin e organeve gjegjëse që të bëjnë maksimumin që sa më shpejt të marrin vendimin për nisjen e kampionatit të Superligës, kuptohet me masat që do të përfilleshin nga rekomandimet gjegjëse”, thuhet në reagimin e tyre./21Media