Gjashtë ushtare të KFOR-it këtë javë shpërndanë kuti me produkte higjienike femërore, batanije, artikuj të lehtë ushqimorë dhe rroba dhe përshëndetën gratë e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Ferizaj.

“Ne u takuam me strehimoren e grave për të marrë një përditësim për gjendjen e dhunës në familje, në komunë. Të jesh një ekip i përbërë tërësisht nga femrat është një gjë jashtëzakonisht e rrallë dhe na lejon të arrijmë demografi të caktuara në Kosovë që ekipet e tjera nuk kanë mundësi ta bëjnë” tha nëntogerja Tereza Smalls, komandante e ekipit LMT Kilo 21.

Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, e njohur gjithashtu si “Shtëpia ime” ka një mision për të krijuar një mjedis për promovimin e të drejtave të grave në Kosovë, për të përmirësuar shëndetin, mirëqenien e grave dhe fëmijëve në rajonin e Ferizajt, pavarësisht racës, moshës, gjinisë dhe fesë.

Vizita e tyre pasoi me një donacion masiv të krevateve dhe çarçafëve në strehimoren dhe shkollat e tjera përreth në komunë, i cili u mundësua në fillim të muajit. Donacioni u drejtua nga Grupi i Mbështetjes së Ushtrisë Ballkanike dhe u mbështet nga Komanda Rajonale e KFOR-it, e udhëhequr nga SHBA-Lindje.

Menaxherja e strehimores së dhunës në familje, Sevdije Kasumi-Banjku tha se strehimorja aktualisht po avokon një ndërtesë publike për të ofruar siguri për viktimat e strehimores. LMT-ja ndihmon duke vazhduar adresimin e çështjes në komunë për të siguruar një vendndodhje publike.

Banjku pranoi se një nga misionet e tyre kryesore është të ndërgjegjësojnë qytetarët në komunë për dhunën në familje, veçanërisht gjatë pandemisë. Shumë vende në botë kanë raportuar një rritje të dhunës në familje gjatë pandemisë.

“Përkundër COVID-19, Ekipet e Monitorimit dhe të Ndërlidhjes të KFOR-it (LMT) vazhdojnë misionin e tyre për të mbështetur institucionet në Kosovë. KFOR-i është i përkushtuar të mbështesë institucionet dhe organizatat që ndihmojnë viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe ka dhënë kontributin e tij në strehimoren rajonale që u përurua në Zubin Potok, më 30 qershor, duke instaluar një sistem sigurie me kamera të mbikëqyrjes”, u bë e ditur në komunikatën për media.