KFOR-i thotë se hyrja e forcave serbe në Kosovë ishte në kuadër të patrullimeve të përbashkëta

 

 

KFOR-i përmes një njoftimi për media ka thënë se hyrja e xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës të premten, ishte në kuadër të patrullës së sinkronizuar rutinore.

Pas reagimeve të shumta, pasi forcat serbe u panë në territor të Kosovës, në komunën e Kamenicës, KFOR-i ka thënë se kjo patrullë bëhet me qëllim që të ofrohet siguri.

Më 07 gusht 2020, rreth orës 17:20, elementët e KFOR-it nga Komanda Rajonale Lindje zhvilluan një Patrullë të Sinkronizuar me homologët e Forcave të Armatosura Serbe në Linjën Kufitare Administrative në afërsi të fshatit Hodonovc, në komunën e Kamenicës. Që nga viti 2008, patrullimet e sinkronizuara zhvillohen në mënyrë rutinore së bashku nga KFOR-i dhe Forcat e Armatosura Serbe përgjatë Vijës Kufitare Administrative për të ofruar siguri dhe për tu siguruar që nuk ka aksidente. Në këtë drejtim, KFOR-i gjithashtu zhvillon patrulla të përbashkëta me Organizatat e Sigurisë së Kosovës në afërsi të Vijës Kufitare Administrative”, thuhet në njoftim.

KFOR-i ka thënë se vija kufitare mes Kosovës e Serbisë, e gjatë rreth 350 kilometra “nuk është shënjuar qartë apo e përcaktuar nga elemente të terrenit natyror dhe të identifikueshëm, siç janë lumenjtë ose vargmalet, por është shënuar vetëm në harta”.

Tutje KFOR-i ka thënë se gjatë patrullimeve të përbashkëta ndodh që të ketë lëvizje “me një shkallë përshtatjeje të imponuar nga terreni”.

KFOR-i ka mohuar se në rastin në fjalë forcat serbe kanë qenë të vetme, pa anëtarë të saj.

Ndërsa kryejnë aktivitetet e tyre, patrullimet e sinkronizuara duhet t’i përshtatin itineraret e tyre në kufizimet e terrenit. Kjo nënkupton që patrullat e sinkronizuara të KFOR-it dhe Forcave të Armatosura Serbe lëvizin përgjatë Vijës Kufitare Administrative me një shkallë përshtatjeje të imponuar nga terreni. Sidoqoftë, në asnjë moment elementet e Forcave të Armatosura Serbe të një patrulle të sinkronizuar nuk ndahen nga anëtarët e KFOR-it dhe ky ishte rasti edhe këtë herë”, thuhet tutje në njoftim.

Back to top button