KFOR: Kosova dhe Serbia të respektojnë marrëveshjet e arritura me KFOR/NATO

Forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë thanë se po e vëzhgojnë situatën në pjesën veriore të Kosovës nga afër dhe mbështesin dialogun për të gjetur një marrëveshje për të zbutur tensionet në veri të Kosovës.
Misioni i NATO-s në Kosovë tha se zyrtarët e lartë serbë që kanë vizituar njësitet e Ushtrisë Serbe në Rashkë, dy kilometra në afërsi të kufirit me Kosovën, nuk kanë patur nevojë që të kërkojnë autorizim nga KFOR-i për të lëvizur dhe stërvitur në territorin serb. Ushtria Serbe rriti shkallën e gatishmërisë së saj dy ditë më parë në mes të përshkallëzimti të situatës në pjesën veriore të vendit dhe në Rashkë të martën në mbrëmje qëndruan edhe Presidenti serb dhe minstri i mbrojtjes. Në Rashkë njësitet e ushtrisë serbe i vizituan shefi i Shatbit të Ushtrisë Serbe dhe minstri serb i mbrojtjes.
KFOR tha se në përputhje me marrëveshjet ekzistuese, Forcat e Armatosura Serbe duhet të informojnë shtabin e KFOR-it vetëm në rast se disa nga njësitë e tyre afrohen rreth një kilometër në afërsi të kufirit me Kosovën.
Një zëdhënës i KFOR-it përmes një deklarate për media tha se sa i përket Forcave të Sigurisë së Kosovës vendosja e tyre, sipas marrëveshjeve ekzistuese, kërkon pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it për të shkuar në veri të Kosovës.
Sipas komunikatës së KFOR-it, misioni paqeruajtës në përputhje me mandatin e tij, mund të angazhohet me përfaqësues legjitimë të komunitetit lokal në veri të Kosovës si pjesë e procesit të pajtimit. KFOR tha se të gjitha palët kanë respektuar gjithmonë marrëveshjet ekzistuese dhe I ka bërë thirrje që të vazhdojnë ta bëjnë këtë.
Në kumtesë thuhet se KFOR mbetet jashtëzakonisht vigjilent dhe ka aftësinë dhe personelin për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet nën mandatin e OKB-së, bazuar në Rezolutën 1244 të vitit 1999./21Media

Back to top button