Të mërkurën, më 07 tetor 2020, misioni KFOR, i udhëhequr nga NATO, do ta organizojë një video-konferencë për ta shënuar 20 vjetorin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe ta diskutojë zbatimin e saj në Kosovë.

Kjo bëhet e ditur përmes një komunikate për media nga KFOR.

“Ngjarja është planifikuar që të fillojë në orën 10:00. Konferenca do të hapet me një fjalim nga Clare Hutchinson, Përfaqësuese Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, e pasuar nga fjalët nga Komandanti i misionit të KFOR, Gjeneralmajori Michele Risi.Do të jenë më shumë se 20 folës nga organizatat qeveritare dhe joqeveritare të Kosovës, Misionet Ndërkombëtare dhe KFOR, duke përfshirë Këshilltarin e KFOR-it për Çështjet Gjinore dhe përfaqësuesit e njësive operacionale. Konferenca do ta udhëhiqet nga një moderator i cili do të bashkëbisedojë me folësit dhe do t’i merr pyetjet nga të tjerët.”, thuhet në kumtesë.

Po ashtu bëhet e ditur se ndër temat e parashikuara janë ‘1325 në agjendën institucionale të Kosovës’, prezantuar nga ish-Presidentja Atifete Jahjaga; ‘Gjendja e grave në Kosovë’, ‘Avancimi i agjendës së vitit 1325’, me kontribute nga UNMIK, BE, EULEX dhe OSBE; ‘Faktet dhe shifrat rreth grave në organizatat e sigurisë së Kosovës’, prezantuar nga zyrtarët e lartë të Policisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës; ‘Valët e avokimit’, fushatat e Radio K4 për t’i promovuar të drejtat e grave; dhe ‘Praktikat më të mira të KFOR-it’.

Ngjarja do të zhvillohet në gjuhën Angleze, do të transmetohet drejtpërdrejt në faqen e Facebook të NATO/KFOR dhe do të mbulohet në llogarinë Twitter të NATO/KFOR.

“KFOR është operacioni më i gjatë i udhëhequr nga NATO. Mandati i tij është që të kontribuojë në garantimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët në Kosovë, në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244 të vitit 1999. KFOR vazhdon ta përkrahë zhvillimin e një Kosove të qëndrueshme dhe paqësore në ndërlidhje të vazhdueshme me Institucionet lokale, komunitetet lokale dhe organizatat ndërkombëtare për ta promovuar pjesëmarrjen e grave në të gjitha fushat e jetës publike.”, thuhet në njoftim

Me rastin e 20 vjetorit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Bashkuar, një botim i veçantë i Kronikës së KFOR – revista KFOR – do të shtypet dhe publikohet në internet, me një numër të artikujve të ilustruar që do t’i theksojë aktivitetet e KFOR në përkrahje të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1325./21Media