Kilaj, Smakaj, Fazliu e Kuçi mund të komunikojnë me njëri-tjetrin në ambientet e Gjykatës Speciale

Gjyqtari Christoph Gosnell ka njoftuar ndryshimin e kushteve të lirimit me kusht të Isni Kilajt, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut e Hajredin Kuçit.
Përmed urdhrit gojor, ai ka thënë se të katër këta lejohen të komunikojnë me njëri-tjetrin gjatë kohës sa janë të pranishëm në ndërtesën e Dhomave të Specializuara në Hagë. Megjithatë, ai tha në seancën e sotme se të njëjtit duhet të sigurohen që nuk diskutojnë çështje konfidenciale në zonat publike të gjykatës.
Në fund të seancës së sotme, gjyqtari i vetëm në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit ka bërë të ditur se kërkesa për heqjen e disa kushteve, është parashtruar dje nga ekipet mbrojtëse.
“Pas kërkesës të parashtruar dje nga mbrojtja e zotëri Kilaj, Smakaj, Fazliu dhe Kuçi, me anë të së cilës kërkonin që të heq disa prej kushteve të lirimit të tyre me kusht, përkatësisht kushtin që të mos kenë kontakt apo komunikim të drejtpërdrejt apo të tërthortë apo përmes një presioni tjetër apo mjeteve të tjera me të akuzuarit, apo me ndonjë person që njihet si vizitor i të bashkakuzuarve në objektin e paraburgimit, dhe së dyti kushti që të mos diskutojnë përveçse me anëtarët e identifikuar të ekipeve të mbrojtjes thelbin e çështjes, qoftë publike apo konfidenciale”, tha gjyqtari Christoph Gosnell
Përmes urdhrit gojor, ai bëri të ditur se atyre u lejohet të komunikojnë me njëri-tjetrin gjatë kohës sa janë të pranishëm në ndërtesën e Dhomave të Specializuara në Hagë
“Më 3 mars, pra sot Zyra e Prokurorit të Specializuar e kundërshtoi kërkesën dhe paraqiti arsyet e saj. Pra, këto kufizime ndryshojnë si në vijim: të akuzuarit zotëri Smakaj, zotëri Kilaj dhe zotëri Fazliu, zotëri Kuçi lejohen të komunikojnë me njëri-tjetrin gjatë kohës sa janë të pranishëm në ndërtesën e Dhomës së Specializuara në Hagë, përfshirë lidhur me këtë çështje. Ata duhet të tregojnë kujdes të veçantë që të sigurohen që nuk diskutojnë çështje konfidenciale gjatë kohës kur janë në zonat publike të ambienteve të gjykatës. Urdhëra për pjesën tjetër, vijojnë të mbetën në fuqi për aspekte të tjera, që do të thotë që zbatohen ndaj të gjitha komunikimeve dhe kontakteve jashtë ambienteve të Gjykatës Speciale në Hagë. Arsyet me shkrim të këtij vendimi do të dërgohen më pas”, përfundoi ai.
Nesër në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të vazhdojë dëshmia e ekspertit të kriminalistikës në rastin “Thaçi dhe tw tjerwt” për pengim të drejtësisë.
Eksperti i kriminalistikës në Institutin e Kriminalistikës së Holandës ka nisur dëshminë e tij mëngjesin e sotëm. Ky është dëshmitari i dytë i ftuar nga ZPS në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve për pengim të drejtësisë. Dëshmitari holandez është dëgjuar pjesërisht në seancë private.
Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë, janë deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues.
Prokuroria pretendon se posedon dëshmi, përfshirë audio-incizime nga Qendra e Paraburgimit në Hagë.
Edhe avokatët mbrojtës kanë kundërshtuar këto pretendime, ku kanë thënë se provat e Prokurorisë nuk dëshmojnë kryerjen e veprave penale për çka akuzohen.
Hashim Thaçi dhe të tjerët akuzohen nën pretendimet se gjatë vizitave më 2023 në Hagë, të njëjtit i kanë dhënë udhëzime dhe informacione konfidenciale dëshmitarëve për gjyqin për krime lufte.