Kim Kardashian West ka folur publikisht për çështjet e shëndetit mendor të burrit të saj, Kanye pas një seri deklaratash të çrregullta të cilat ai i bëri ditëve të fundit.

Ajo shkroi në Instagram: “Siç e dini shumë nga ju, Kanye ka çrregullim bipolar. Kushdo që e ka këtë ose ka një të dashur në jetën e tyre që vuan nga çrregullimi bipolar e di sa e ndërlikuar dhe e dhimbshme është të kuptosh. Ai është një “person i shkëlqyer, por i ndërlikuar, fjalët e të cilit ndonjëherë nuk përputhen me qëllimet e tij”.

Reperi është një nga yjet më të mëdhenj të muzikës në Amerikë, dhe aktualisht është duke u përpjekur të kandidojë për postin e presidentit në Amerikë. Por tubimi i tij i parë i fushatës dhe një numër i mesazheve të fundit në Twitter kanë ngjallur konfuzion dhe shqetësim, përcjell portali rtv21.tv

Kim dhe Kanye u martuan në vitin 2014 dhe kanë katër fëmijë së bashku.

Në mesazhin e saj të mërkurën, personaliteti televiziv tha se ajo nuk kishte folur më parë publikisht se si shëndeti mendor i Kanye kishte ndikuar familjen “sepse unë jam shumë mbrojtëse e fëmijëve tanë dhe është e drejta e Kanye për privatësi kur bëhet fjalë për shëndetin e tij”.

Ajo tutje shkroi: “Por sot, më duhet ta komentoj për shkak të stigmës dhe konceptimeve të gabuara në lidhje me shëndetin mendor. Ata që e kuptojnë sëmundjen mendore apo edhe sjelljen e detyrueshme e dinë që familja është e pafuqishme, përveç nëse anëtari është i mitur. Njerëzit të cilët nuk janë të vetëdijshëm ose nuk dinë për këtë përvojë mund të jenë gjykues dhe të mos e kuptojnë që vetë individi duhet të angazhohet në procesin e marrjes së ndihmës, pavarësisht se sa shumë përpiqen familja dhe miqtë.”

Kardashian West vazhdoi duke thënë se burri i saj ishte “subjekt i kritikave sepse ai është një personazh publik dhe veprimet e tij herë pas here mund të shkaktojnë mendime dhe emocione të forta, por kërkoi më shumë empati dhe mirëkuptim.Ai është një person i shkëlqyer, por i ndërlikuar që në krye të presioneve të të qenit artist dhe një njeri i zi, i cili përjetoi humbjen e dhimbshme të nënës së tij, duhet të merret me presionin dhe izolimin që është rritur nga çrregullimi  bipolar,” shtoi ajo.

“Ata që janë afër me Kanye e dinë zemrën e tij dhe kuptojnë se fjalët e tij ndonjëherë nuk përputhen me qëllimet e tij. Të jetosh me çrregullim bipolar nuk zvogëlon ose zhvlerëson ëndrrat dhe idetë e tij krijuese, pavarësisht sa të mëdha apo të paarritshme mund të ndjehen për disa. Kjo është pjesë e gjeniut të tij dhe siç kemi dëshmuar të gjithë, shumë nga ëndrrat e tij të mëdha janë realizuar. Ne si shoqëri flasim për dhënien e hirit për çështjen e shëndetit mendor në tërësi, megjithatë duhet t’ua japim atë individëve që po jetojnë me të në momentet kur ata kanë nevojë për më shumë. Unë me mirësi kërkoj që media dhe publiku të na japin dhembshurinë dhe empatinë që është e nevojshme në mënyrë që të mund ta kapërcejmë këtë.“,  është shprehur Kardashian.

Çfarë është çrregullimi bipolar?

Ekzistojnë lloje të ndryshme të bipolarizmii. Ata me tip I përjetojnë periudha të niveleve maniake dhe të depresionit. Ata me tip II kanë përvojë depresioni të rëndë dhe episodet e buta maniake – të njohura si hipomania – që zgjasin për një periudhë më të shkurtër kohore. Ata me ciklotimi kanë përvojë më pak të rëndë të humorit, por ato mund të zgjasin më gjatë.

Gjatë një episodi maniak, mund të ndjehen euforik dhe të kenë shumë energji, plane dhe ide ambicioze. Por mund të bëhen agresiv dhe të shfaqin simptoma të psikozës.

Shkaku i saktë i çrregullimit bipolar është i panjohur. Disa ekspertë besojnë se mund të zhvillohet si rezultat i shqetësimit të rëndë emocional si fëmijë, si dhe faktorëve gjenetikë dhe kimikë./21Media