Ushtria e Kinës e ka miratuar përdorimin e një vaksine kundër koronavirusit për trupat e saj. Vaksina është prodhuar nga njësia ushtarake për hulumtime në bashkëpunim me një kompani farmaceutike.

Më shumë se gjysma e 17 vaksinave që janë në testim e sipër e që njihen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë janë vaksina që janë zhvilluar nga kompanitë ose institutet kineze.

Kompania “CanSino Biologics” nga Hong Kongu tha se testimet klinike kanë treguar se vaksina e ushtrisë kineze ka një profil të mirë të sigurisë dhe potencial për ta parandaluar sëmundjen e shkaktuar nga koronavirusi.

Vaksina është zhvilluar nga kompania “CanSino Biologics” dhe Instituti i Pekinit për Bioteknologji, që është pjesë e Akademisë Ushtarake për Shkenca Mjekësore.

Përdorimi më i gjerë i kësaj vaksine nuk mund të bëhet pa miratime të tjera, thuhet në njoftimin e kësaj kompanie.

Nuk është e qartë se sa ushtarë kinezë do ta marrin këtë vaksinë. Ministria e Mbrojtjes nuk ka dhënë përgjigje ndaj kërkesës për ta komentuar këtë zhvillim.

Në anën tjetër Kina ka rikthyer izolimin strikt në një zonë pranë Pekinit, pas një rritjeje të vogël të numrit të rasteve me koronavirus.

Izolimi në qarkun Anksin të provincës Hebei prek rreth 400,000 banorë.

Zyrtarët thanë se Anksini “do të mbyllet plotësisht” dhe se “do të kontrollohet”.

Vetëm punëtorët thelbësorë lejohen të dalin nga shtëpitë, ndërsa një anëtar i një familjeje lejohet të dalë një herë në ditë për të blerë ushqime./21Media