Kina miratoi një ligj të sigurisë kombëtare për Hong Kong-un, i cili, sipas kritikëve, do të minojë të drejtat e njeriut në rajonin gjysëm-autonom.

Ligji u miratua nga Komiteti i Përhershëm Kombëtar i Kongresit Popullor të Kinës, që është organi më i lartë ligjvënës në këtë vend.

Ai është kritikuar nga qeveritë perëndimore dhe ka qenë në qendër të protestave pro demokracisë të muajve të fundit në Hong Kong.

Pekini ka hartuar ligjin në përgjigje të protestave pro demokracisë të vitit të kaluar në Hong Kong, duke thënë se ai është i nevojshëm për kthimin e stabilitetit në këtë vend.

Legjislacioni kriminalizon ndarjen, përmbysjen e pushtetit shtetëror dhe bashkëpunimin me forcat e huaja.

Hong Kong-u, qysh në vitin 1997, është pjesë e Kinës në bazë të organizimit “një shtet, dy sisteme”.

Ai ka disa të drejta që nuk i gëzon pjesa tjetër e territorit kinez, por protestuesit ankohen se ato po kufizohen gjithnjë e më shumë nga regjimi në Pekin.