Kisha e Pllanës, e pozicionuar mbi kodrinën mes Lezhës e Milotit, përkundruall Urës së Zogut, ruan të strukur me praninë e saj një dëshmi të hershme kulture që mbërrin deri në shekullin XIII.

Dom Nike Ukgjini, meshtari që po kujdeset për restaurimin e saj, thotë se kisha i është e kushtuar martires Shën Barbara. Ai thotë se dëshmitë për kishën janë të hershme.

“Format e emrit dalin te ndryshme në dokumente”, thotë Ukgjini.

E shpallur monument kulture më 1973, ajo mundi t’i shpëtonte kazmës së ateizmit komunist, por humbi vëmendjen e kujdesin. Pamja e saj e sotme ka humbur shumë prej shkëlqimit të kahershëm, por ende ruan gjurmë të së shkuarës.

“Fillimet duhet të jenë të shekullin XII. Ka qenë më e madhe. Mark Skura më 1640 thotë se ka qenë si katedrale”, vëren Dom Nika.

Por, sa mund të justifikohet prania e një kishe të madhe në një zonë si Pllana, në shekujt e Mesjetës?

Teksa historianet rreken te gjejnë kufijtë e principatës së Arbrit e dioqezës së Arbrit, hapësirat e objekteve të kultit flasin edhe për numrin e popullsisë .

Dom Nikë Ukgjini thotë se “ka pasur më shumë se 600 besimtarë”.

Kisha u dëmtua nga tërmeti dhe nga ushtarët turq.

Përtej predikimit fetar, gjuhëtarja Ledi Shamku Shkreli e ka përmendur disa herë këtë kishë, si një prej shkollave më të vjetra shqipe, çka i shton rëndësinë objektit.

“Në dokumente del se ka qenë shkollë me 1638. Mësohej shkrim e lexim shqip”, tregon Dom Nikë Ukgjini.

Në relacionin e ipeshkvit Nikollë Vlladanji më 1694, flitet për dy altarë – ai i shën Barbarës dhe i Zojës Rruzare. Sot ruhet vetëm një prej tyre, me vizatime të thjeshta dekorative me motive biblike, krejt të vona në kohë.

“Altari u pikturua më 1941 nga ushtarët italianë”, thotë Dom Nika ndërsa pranë altarit ruhen ende format e një kripte që sipas meshtarit janë varre të ipeshkvijve.

Aktualisht restaurimi i kishës është drejt fundit, me projekt te Ministrisë se Kulturës dhe donacione të kishës dhe donatoreve privatë.

Ndryshe prej shumë kishave me arkitekturë krejt të thjeshtë ne fshatra, kisha e Pllanës ruan një kthinë te dedikuar për korin ose për të shtruar numrin e besimtarëve. Shumëçka prej muraleve është zbehur, por një punë e madhe bëhet për ta ruajtur. /21Media