Kjo është lista e ”shteteve jomiqësore” të Rusisë

Qeveria e Federatës Ruse miratoi të hënën një listë të shteteve dhe territoreve të huaja, që, siç tha, kryejnë veprime jomiqësore kundër Rusisë, kompanive dhe qytetarëve të saj.
Në një deklaratë të Qeverisë ruse, të cilën e transmeton agjencia e lajmeve ruse TASS, thuhet se nga vendet e Ballkanit Perëndimor, lista përfshin: Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, që të tria vende anëtare të NATO-s.
”Vendet dhe territoret e përmendura në listë vendosën ose iu bashkuan sanksioneve kundër Rusisë, pas fillimit të një operacioni special ushtarak të forcave të armatosura ruse në Ukrainë”, thuhet në deklaratë.
Sipas këtij dekreti, qytetarët dhe kompanitë ruse, vetë shteti, rajonet dhe bashkitë e tij, që kanë detyrime valutore ndaj kreditorëve të huaj nga lista e vendeve jomiqësore, do t’i paguajnë ato në rubla (valutën ruse).
Lista, mes të tjerave, përfshin edhe Shtetet e Bashkuara, shtetet e Bashkimit Evropian, Mbretërinë e Bashkuar, Ukrainën, Zvicrën, Islandën etj.

Back to top button