“Kjo nuk është provë”, Biden hedh dyshime mbi pretendimin e Zelensky për raketat në Poloni

Zelensky tha se nuk besonte se raketa ishte ukrainase

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden iu përgjigj të enjten pretendimit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky se një raketë ukrainase nuk ishte përgjegjëse për një shpërthim vdekjeprurës në Poloni të martën.
“Kjo nuk është prova,” u tha Biden gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë pasi u kthye nga samiti i G20 në Bali, Indonezi.
Dy fermerë vdiqën të martën kur një raketë ra jashtë fshatit lindor polak të Przewodow, rreth 6.4 kilometra në perëndim nga kufiri ukrainas.
Zyrtarët polakë kanë treguar se ka të ngjarë që një raketë ukrainase, e vendosur nga mbrojtja ajrore e saj mes valëve të sulmeve raketore ruse të martën, ka rënë brenda territorit polak.
Duke folur me gazetarët të mërkurën, Zelensky tha se nuk besonte se raketa ishte ukrainase.
“Nuk ishte raketa jonë”, tha ai.
Më vonë, në fjalimin e tij të përditshëm me video, Zelensky tha se “sqarimi i të gjitha rrethanave se si agresioni rus kaloi kufirin polak” ishte tani një çështje përpara Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ai tha se kishte folur me presidentin polak Andrzej Duda dhe kishte shprehur ngushëllimet e tij, por këmbënguli se ishte “agresioni rus” që u kishte marrë jetën dy shtetasve polakë.
“Pozicioni ukrainas është shumë transparent: ne duam të përcaktojmë të gjitha detajet, çdo fakt. Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë që ekspertët tanë t’i bashkohen punës së hetimit ndërkombëtar dhe të kenë akses në të gjitha të dhënat në dispozicion të partnerëve tanë për shpërthimin”, tha Zelensky./21Media

Back to top button