Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj sot pas vizitës në klinikat e QKUK-së, u shpreh se klinikat dhe spitalet janë të mbushura, personeli shëndetësor është tejet i angazhuar, por, theksoi ai se jeta e qytetarëve tanë është më e vlefshme se çdo gjë tjetër.

“Së bashku me U.D. Drejtor i ShSKUK-së, dr. Saudin Maliqin, vizituam klinikat e QKUK-së për të parë gjendjen sa i përket hapësirave dhe situatës me barna për trajtim të pacientëve me Covid 19. Personeli shëndetësor, në çdo klinikë dhe spital, përkundër lodhjes dhe ngarkesave, janë në krye të detyrës.”, shkroi Zemaj në facebook.

Ai deklaroi se kërkoi që pacientët të kenë trajtimin e duhur, të mos ketë mungesa, as të hapësirave, as barnat e Listës esenciale dhe atyre të protokolleve, oksigjeni dhe çdo gjë tjetër për trajtimin efikas të pacientëve.

“Të gjithë së bashku duke ruajtur njeri-tjetrin, ruajmë familjet tona, sistemin shëndetësor dhe Republikën e Kosovës.”, shkroi më tutje minsitri.

Ndryshe, 19 persona kanë vdekur, ndërsa janë shënuar edhe 711 raste të reja me Covid-19 gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë./21Media