KMDLNj kërkon hetime për sulmin ndaj djalit të Rashiqit dhe djegien e veturës së Bajqinovcit

 

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, KMDLNj sot reagoi për dy raste që ndodhën mbrëmë. Sipas KMDLNj-së, duhet të hetohet sulmi ndaj Nikolla Rashiqit, djalit të ish-ministrit serb, Nenad Rashiq, si dhe të djegies së veturës së kandidatit të Vetëvendosjes për deputet, Mefail Bajqinovcit.

Lidhur me rastin e sulmit ndaj Rashiqit, KMDLNj ftoi të gjitha palët të përmbahen nga deklaratat paragjykuese, deri në një vendim të gjykatës kompetente.

“A ishte koincidencë e rastit apo sulm i qëllimshëm ndaj Nikolla Rashiqit, për shkak të aktivitetit politik të babait të tij, Nenad Rashiq, duhet ta vërtetojë hetuesia dhe, fjalën e fundit për fajësinë apo pafajësinë, për motivin e mundshëm të sulmit dhe qëllimin e këtij sulmi, ka të drejtë ta thotë vetëm gjykata përkatëse, pas procedimit të provave. Ndonëse rrethanat në të cilat ka ndodhur sulmi ndaj Nikolla Rashiq  nxisin dyshime të bazuara për motivet e sulmit.”, bëri të ditur KMDLNj përmes komunikatës.

KMDLNj e vlerësoi si shumë pozitive angazhimin e shpejtë të Policisë së Kosovës dhe prokurorisë së shtetit në zbardhjen e rastit e që nënkupton se ky rast po trajtohet me seriozitet dhe profesionalizëm.

Ndërsa, lidhur me djegien e veturës së Bajqinovcit, KMDLNj kërkon hetime në mënyrë që të përcakthen shkaqet që kanë sjellur deri te djegia e veturës.

“Në këtë mënyrë, me vërtetimin e shkaqeve do të eliminoheshin spekulimet e mundshme, ose, në të kundërtën, nëse sigurohen prova për zjarrvënie të qëllimshme, duhet të gjinden kryerësit e mundshëm dhe të sillën para organeve të drejtësisë e qç ia rrezikuan seriozisht jetën deputetit Bajqinovci.”, u shtua më tutje në komunikatë./21Media

Back to top button