Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut u ka bërë thirrje deputeteve që të bashkohen dhe ta votojnë buxhetin e Rishikuar.

Sipas KLMDNj vonimi i këtij procesi po vështirëson gjendjen e shumicës së qytetarëve të Kosovës si në aspektin shëndetësore ashtu edhe në atë material.

“Është e vërtetë se buxheti i rishikuar është larg të së dëshiruarës por situata e imponon një buxhet të tillë, një buxhet jo për projekte dhe investime të mëdha por një buxhet thjesht për të mbijetuar, për të mos e varrosur ekonominë dhe bizneset dhe për të bërë përpjekje për të ruajtur vende të punës në një situatë kur papunësia është edhe ashtu e madhe. Është përgjegjësi tepër e madhe nëse në këtë situatë nuk e votoni buxhetin e rishikuar, me shumë të meta por që megjithatë është një infuzion për mbijetesë për një pjesë të madhe të qytetarëve të Kosovës sikur edhe krijimin e kushteve për rimëkëmbje të ekonomisë , së paku të lejojë falimentimin e saj.”, thuhet në reagimin e KLMDNj.

Tutje ky këshill thotë se Pandemia është përshakallëzuar në Kosovë dhe kërkon mobilizim të përgjithshëm e të gjitha subjekteve politike dhe institucioneve relevante.

“Është papërgjegjësi, e pamoralshme dhe e dënueshme që kjo situatë jashtëzakonisht e rëndë të keqpërdoret për qëllime politike duke kritikuar çdo gjë nga pozita e spektatorit, pa dhënë asnjë kontribut në luftë kundër pandemisë së shkaktuar nga COVID-19. Për momentin, deri në një situatë tjetër, bisedimet në Bruksel janë të panevojshme dhe se i tërë potenciali duhet të vëhet në shërbim të qytetarëve , prandaj votojeni, pa rezerva , buxhetin e rishikuar sikur që bashkohuni në luftë kundër pandemisë. Lërini , për shkak të situatës , dallimet politike dhe partiake , hatërmbetjet, hakmarrjen dhe interesat personale dhe bëhuni zëri i qytetarëve, përfaqësues të të cilëve edhe duhet të jeni, pa bërë asnjë dallim . Sepse vota e qytetarit do t’ju duhet edhe në të ardhmen!”, përfundon reagimi./21Media