Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut thotë se arsyetimi i autoriteteve shëndetësore që një i vdekur me Covid-19 ka patur sëmundje të tjera shoqëruese, shkakton huti në opinion. Sipas tyre, nuk po përcaktohet shkaku i vërtetë i vdekjes.

Në mediat elektronike të Kosovës kishte të intervistuar që pohonin se, përkundër kërkesës për t’ua bërë testin për Covid-19 për faktin se kishin dyshime, se kishin anëtarë të familjes të prekur nga ky virus, kishin sëmundje kronike që i bëjnë lehtë të cenueshëm apo kishin moshë të shtyrë, autoritetet shëndetësore i kanë refuzuar me arsyetimin se, ose nuk ka teste të mjaftueshme, ose nuk janë në listën e prioriteteve. Opinioni në Kosovë për çdo ditë po informohet për rritjen e numrit të të prekurve nga virusi sikur që edhe numri i rasteve që po përfundojnë me fatalitet dukshëm është rritur. Arsyetimi i autoriteteve shëndetësore se i vdekuri nga Covid-19 ka patur sëmundje tjera përcjellëse, të rënda dhe kronike, shkaktojnë huti në opinion aq më parë që nuk po përcaktohet shkaku i vërtetë i vdekjes“, thuhet në komunikatën e KMDLNj-së.

Ndër të tjera, KMDLNj thekson se masat kufizuese të marra shkelin të drejtat elementare të njeriut që nga liria e lëvizjes e deri të e drejta për punë.

KMDLNj ka ngritur shqetësim edhe për mënyrën e testimeve, të cilën e ka quajtur diskriminuese.

KMDLNj mendon se pikërisht përzgjedhja diskriminuese, e jo në bazë të nevojës së domosdoshme për testim, ka shkaktuar dhe po shkakton rritjen e numrit të të prekurve sikur edhe rritjen e numrit që po përfundon me fatalitet andaj kërkon transparencë dhe monitorim të këtij procesi si dhe qasje në lista, nëse ka të tilla, pas së cilave ndërmerren veprimet. Qytetarët e Kosovës, shumica e tyre nuk kanë mundësi të paguajnë testet prandaj këto duhet të sigurohen falas përjashtuar ata që e kanë këtë mundësi. KMDLNj kërkon që të rritet numri i testimeve kurse nga Qeveria e Kosovës kërkon të ndajë mjete shtesë për këtë qëllim sikur edhe për punëtoret shëndetësorë“, thuhet tutje në komunikatë./21Media