Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) kanë pranuar me shqetësim raportimet se në Komisionin për Qeverisje Lokale, Zhvillim Rajonal dhe Media të Kuvendit të Kosovës është përmendur edhe mundësia e rregullimit të përmbajtjes online të mediave nga ana e Komisionit të Pavarur për Media (KPM).

KMShK, si mekanizëm vetërregullues që përfaqëson mediat e shkruara dhe online dhe AGK, si organizatë që përfaqëson gazetarët, kundërshtojnë çdo përpjekje dhe çdo iniciativë, nga kushdo qoftë, për përfshirjen e përmbajtjes online të mediave si pjesë e mekanizmit rregullues nga institucione shtetërore.

KMShK është mekanizmi i vetëm në Kosovë që merret me etikën e mediave të shkruara dhe online (gazetat, mediat online, revistat, agjencitë e lajmeve) dhe vazhdimisht vendos për ankesat e qytetarëve dhe institucioneve në lidhje me shkeljet e etikës nga mediat e shkruara dhe online.

KMShK dhe AGK kundërshtojnë fuqishëm çdo përpjekje dhe iniciativë për futjen e etikës së mediave të shkruara dhe online si pjesë e ligjit për KPM-në. Iniciativa të tilla janë në kundërshtim të hapur me rregullat ndërkombëtare të gazetarisë dhe frymën e gazetarisë të instaluar në Kosovë tash e një kohë.

Secila nga mediat e shkruara (online apo të shtypura) duhet të japin përgjegjësi për veprimet e tyre para organeve shtetërore, bazuar në ligjet përkatëse, por fillimisht vlerësimin e etikës së tyre nuk mund ta bëjë askush më mirë se vetë mediat për media, apo profesionistët e fushës.

KMShK nëpërmjet mekanizmit të kontrollit dhe vlerësimit të etikës së mediave të shkruara është njohur edhe nga vetë Kuvendi i Kosovës, nëpërmjet Ligjit për Shpifjen dhe Fyerjen dhe vendimet që KMShK merre për palët dhe për mediat respektohen dhe vlerësohen lart nga gjykatat vendore në rastet kur ata vendosin për shpifjen dhe fyerjen.

Iniciativat për kontroll dhe vlerësim të etikës për mediat e shkruara dhe online nga një organizatë shtetërore janë të dëmshme dhe nuk iu ndihmojnë mediave dhe gazetarëve.

Megjithatë nga KPM kanë lëshuar një deklaratë për media ku kanë sqaruar se s’kanë kërkuar diçka të tillë në mbledhjen e Komisionit për Media në Kuvendin e Kosovës.

Nga ky institucion thonë se kërkesa e tyre ka qenë që të kenë kompetenca për shërbimet mediale audio-vizuele që shpërndahen në platforma online.

“Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) sqaron opinionin publik se, gjatë raportimit të KPM-së në Komisionin për Qeverisje Lokale, Zhvillim Rajonal dhe Medie të Kuvendit të Kosovës, NUK është kërkuar që në procesin e amandamentimit të Ligjit për KPM-në të përfshihet çështja e rregullimit mediave online në kuadër të kompetencave të KPM-së, siç është paraqitur në opinion përmes disa portaleve. KPM-ja ka kërkuar që në procesin e amandamentimit të Ligjit për KPM-në, të parashihen kompetenca sa i përket shërbimeve mediale audio-vizuele që shpërndahen në platforma online, ashtu siç është rekomanduar në Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2020 të Parlamentit dhe Këshillit të Evropës dhe duke u bazuar në Direktivën 2018/1808 të Parlamentit dhe Këshillit të Evropës për Shërbime Mediale Audio-Vizuele (Audiovisual Media Services Directive)”, thuhet në sqarimin e KPM-së.