Mark Knopfler është njëri ndër artistët e mëdhenj të skenës muzikore botërore i cili është aktiv për mëse 5 dekada, duke incizuar nëntë albume solo. Mark u lind në Glasgow të Skocisë më 12 gusht të vitit 1949.

Në vitin 1977 bashkë me vëllain e tij David, themeluan rok grupin “Dire Straits” duke krijuar qindra këngë që e vënë grupin në panteonin e muzikës rok. Mjafton të përmenden hitet si: “Sultan of Swing”, “Romeo and Juliet”, “Money for nothing”, “Walk of life”, “Brothers in arms”, e shumë të tjera… “Dire Straits” arriti t’i shesë 120 milionë kopje për t’u bërë njëri nga grupet më të shitura.

Përveç zërit unik dhe stilit karakteristik të lojës në kitarë, Knopfler shquhet edhe si tekstshkrues. Ai i shkroi shumicën e këngëve të grupit. Gjatë kësaj karriere të jashtëzakonshme, atij i janë ndarë shumë çmime, mes të cilave katër Grammy. Knopfler është përfshirë në Rock and Roll Hall of Fame më 2018, ndërsa revista prestigjioze “Rolling Stone” e renditi në vendin e 27-të në mesin e kitaristëve më të mëdhenj të të gjitha kohëve.

Lista e artistëve me të cilët ka bashkëpunuar Knopfler është e gjatë. Disa nga ta janë: B. B. King, Eric Clapton, Bob Dylan, Phil Lynott, Elton John, Tina Turner… /21Media