Avokati Arianit Koci sot ka deklaruar se kryetari i VV-së, Albin Kurti mund të kandidojë në zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen në vitin 2021.

Koci theksoi se Kurti mund të kandidojë në zgjedhje edhe pse i dënuar me kusht për disa arsye.

“Vepra penale është kryer në vitin 2015, kur në fuqi ka qenë Kodi Penal Nr. 04/L – 082, i cili në nenin 100 paragrafi 2, parasheh se pasojat juridike të dënimit nuk krijohen kur kryesit i shqiptohet gjoba, dënimi me kusht apo vërejtja gjyqësore.

Kodi i ri Penal, Nr. 06/L-074, ka pësuar ndryshim. Në nenin 93 paragrafi 2, tani parashihet se pasojat juridike të dënimit nuk krijohen kur kryesit i shqiptohet gjoba, apo vërejtja gjyqësore.
Dënimi me kusht me Kodin e ri, ka pasojë juridike, për dallim prej Kodit paraprak.
Sidoqoftë, dispozitat ligjore lexohen dhe interpretohen në mënyrë sistematike.
Në nenin 3 të Kodit të ri Penal (i njejti nen është edhe në Kodin paraprak), parashihet se:
ndaj kryesit zbatohet ligji që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale (neni 3 par 1) ose,
Në rast se ligji në fuqi ndryshon para shqiptimit të vendimit të formës së prerë, atëherë ndaj kryesit zbatohet ligji që është më i favorshëm (neni 3 par 2).
Vepra penale është kryer në vitin 2015.
Prandaj, zbatohet ligji më i favorshëm – Kodi Penal, Nr. 04/L – 082, i cili thotë se pasojat juridike NUK parashihen kur kryesit i shqiptohet dënimi me kusht.”, ka shkruar Koci në facebook.

Në vendiminin e Gjykatës Kushtetuese me rastin e rrëzimit të qeverisë, ndër të tjera thuhet se: personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitoj mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kjo ka ngritur dyshime në sferën publike nëse Albin Kurti do të mund të kandidojë në zgjedhjet e vitit 2021./21Media