Komisioni për Legjislacion në mungesë të kuorumit për vendimmarrje nuk ka arritur të votojë draftin e parë të Kodit Civil, përkundër kërkesës së ministrit Selim Selimi se një gjë e tillë duhet të ndodhë dhe se bashkërisht me Kuvendin të bëjnë plotësim-ndryshimet e nevojshme në lexim të dytë pas votimit në seancë.

Në raportimin e tij, ministri i Drejtësisë ka thënë se parimet themelore të barazisë civile për qytetarët janë të inkorporua në këtë projekt-kod. Por, deputetët opozitarë nuk janë pajtuar me këtë konstatim dhe kanë adresuar vërejtje për çështjen e martesave të hershme, trashëgimisë së grave në pronë dhe kontratave martesore.

Atij i është kërkuar që ky projekt-kod të kthehet prapa në ministri për t’i bërë ndryshimet e nevojshme me përfshirjen e rekomandimeve të shoqërisë civile. Përkundër kësaj, ministri Selimi para tyre ka thënë se ky draft-kod civil ka dispozita afirmative për gratë dhe se drejta e tyre në trashëgimi forcohet dukshëm.

“Kjo është faza e parë, e cila ka zgjatur me vite të tëra dhe është bërë një punë e madhe, edhe janë bërë pesë libra. Por ne jemi të gatshëm për fazën e dytë, e cila është faza e Kuvendit. Mendoj që edhe imputet e juaja, amendamentet potenciale, të cilat ne mund t’i bëjmë edhe bashkë janë të mirëseardhura. Por baza e forcimit të një shtylle që është shtylla civile duke pasur parasysh gjitha standardet ndërkombëtare që i kemi në Kushtetutë edhe më tej mendoj që janë të inkorporuara në këtë kod. Ne nuk mund të bëjmë ligje perfekte, por mund të bëjmë më të mirën e mundshme. Secilit ligj duhet t’i jepet një shans implementimi, pastaj të nxirren më pas për amendamentim. Çdo zgjatje e komenteve të ndryshme rreth një çështje që rregullohet me standarde ndërkombëtare mund të shkaktojë humbje kohe dhe mund të na lë pa një kod civil”, ka thënë ai.

Por, me këtë nuk është pajtuar anëtari i komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, i cili i është drejtuar ministrit Selimi se po ‘ngutet pa nevojë’ përkundër vërejtjeve të dukshme të deputetëve dhe shoqërisë civile.

“Vërejtja ime ka qenë një nguti e madhe për të sjellë këtë projekt-kod me gjithë vërejtjet. Mendoj që paraqet një pakujdesi, e di që janë projektligje të vërejtje që i keni gjetur në sirtarë dhe i keni prurë këtu, por meqenëse se puna është bërë në qeveri tjera ju, e keni pasur si detyrim për të adresuar problemet dhe shqetësimet e grupeve të interesit”, ka thënë ai.

Ndërsa, deputetja e PDK-së, Evgjeni Thaçi-Dragusha ka adresuar kritika për martesat e hershme në projekt-kod, mënyrën e fejesës dhe kthimin prapa në rast të ndarjes të gjërave materiale.

“Ka disa çështje, të cilat do të duhej të ishin marrë parasysh sidomos çështjet që kanë të bëjnë me avancimin e të drejtave të grave dhe fëmijëve në përgjithësi… Do të duhej të merren masa të tjera qoftë edhe kur i prek aty njerëzit më shumë të vendosen, ndonjë tarifë momentin kur hiqet dorë nga trashëgimia në mënyrë që edhe vëllezërit të mendojnë dy herë para se të kërkojnë nga motra ose dikush tjetër heqjen dorë nga trashëgimia. Kontrata martesore është një nga çështjet që kanë zgjuar më shumë debat. Mendohet që me këtë kontratë martesore më shumë dëmtohen gratë. E dimë që meshkujt e kanë paranë në shumicën e rasteve dhe në këtë mënyrë gratë para martesës privohen nga e drejta e garantuar me ligj në rast divorci. Rregullimi i fejesës me kod civil në këtë mënyrë parashihet t’i jep kodit një frymë patriarkale. Kthimi i dhuratave i kontribuon shumë te martesa me para. Kur familjet i japin dhurata ose para ose diçka të tjera për vajzën dhe në rast të prishjes së fejesës, ato duhet të kthehen”, ka thënë ajo.

Ministri Selimi ka shtuar se për këto dispozita kanë marrë shembullin e standardeve ndërkombëtare. Ai ka theksuar se personat e moshës 16 deri 18-vjeç mund të martohen, por duke plotësuar kushte paraprake.

Mbi bazën e këtyre vërejtjeve kthim prapa të këtij projekt-kodi ka kërkuar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi.

“Ka një mungesë të një studimi sociologjik, sepse ky kod nuk i reflekton marrëdhëniet shoqërore. Ka raste ku merret me rregullimin e marrëdhënieve që nuk janë karakteristike dhe nuk janë prezentë në shoqërinë tonë. Ka edhe raste kur ato i rregullon në forma… Ky projektligj është mirë të tërhiqet në qeveri dhe të bëhen ndryshimet e nevojshme”, ka thënë ai.

Në raportimin e tij ministri Selimi ka arsyetuar edhe Projektligjin për tokën ndërtimore, për të cilin ka kërkuar një kohë për të rishqyrtuar pozicionin e tyre për kthim prapa të këtij projektligjit pas vërejtjeve të deputetëve./kp